LGBTI: Identiteti gjinor në dokumente dhe martesa brenda të njëjtës gjini në Shqipëri

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Ambasada Pink ka një kërkesë konkrete: shprehjen e identitetit gjinor për personat transgjinorë dhe interseksualë në dokumentet zyrtare, projektligj që është dorëzuar në Kuvend.

Ajo që kërkohet është që përveç kategorisë femër dhe mashkull të shtohet edhe “të tjera”.

Altin Hazizaj thotë: “Ideja është që një person që e identifikon veten si trans, duhet të ketë të drejtën që ta ndryshojë emrin dhe të gjitha dokumentet duhet t’i jepen me identitetin ai/ajo beson. Ne kemi menduar që mosha minimale për ta bërë këtë duhet të jetë 14 vjeç”.

Po një gay, pse mendon se shprehja e identitetit gjinor u shërben komunitetit LGBTI?

“Është më shumë nevojë sepse në këtë shoqëri ne e pranojmë që ka dhunë fizike dhe verbale”, thotë një homoseksual.

Ai e kuptoi se i pëlqenin djemtë kur ishte 14 vjeç, një sfidë me të cilën përballet ende, megjithëse pranon se në Shqipëri ka shumë si ai: “Është e vështirë, sidomos kur të përjashtojnë nga aktivitetet. Janë disa zona ku nuk mund të kalojmë, ne rrimë më shumë te qendra. Ka shumë meshkuj gay në Shqipëri, djem të rinj dhe burra të martuar, por kanë frikën e paragjykimit”.

Në dukje, në Shqipëri ekziston frika se gay, lesbike apo trans mund të zgjedhësh të bëhesh, por personat e këtij komuniteti janë të qartë për dëshirat e tyre seksuale që në vegjëli dhe kërkojnë që interesit të tyre t’i përgjigjen personat me të njëjtën shije.

Në ditën e tyre, Ambasada Pink tha gjithashtu se ka ardhur koha që edhe Shqipëria t’i hapë rrugën ligjore martesave gay, një fushatë kombëtare që do të çelet më 18 maj, sipas tyre deri në realizimin e kësaj të drejte të mohuar.