Arbnora Fejza Idrizi nga Skenderaj ka thyer një rekord në librin “Guinness”, për krijimin e lules origami më të madhe në botë.
Me këtë rast ajo ka prezantuar para qytetarëve të Skenderajt certifikatën e marrë nga stafi i Guinness-it.
Më një shtator të vitit të 2018, Arbnora Fejza-Idrizi ndërtoi një lule origami me diametër 8.7 metra, duke marrë kështu epitetin e të parës në Librin e Rekordeve “Guinness”, ndërkaq certifikatën zyrtare e mori para disa ditësh, transmeton kosovapress.
Fejza-Idrizi u shpreh e lumtur që puna e saj dhjetë vjeçare me artin e origamit u kurorëzua me një rekord në librin e famshëm Guinness.
Në mungesë të letrës origami, ajo përdori letër kuzhine, të cilën e palosi 23 herë për të formuar lulen origami.
“Jam krenare që arrita ta prezantoj Kosovën dhe Skenderajn dhe u zgjodha fituese. Kam pasur shumë sfida, por dëshira dhe ëndrra ishin më të mëdha se vështirësitë”, ka thënë Fejza Idrizi.
Ajo ka njoftuar se tashmë po përgatitet për një rekord të veçantë, që ta ndërtojë vazon me lule më të madhe në botë, me flamujt e shteteve që kanë njohur Kosovën.
Kurse kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se lajmi për këtë rekord i erdhi pikërisht në ditën kur Kosova u bë me ushtri.
“Jo vetëm Skenderaj, por e gjithë Kosova duhet të mburret me këtë arritje. Skenderaj dhe Drenica historikisht njihen për trimëri, por kjo vepër është dëshmi e gjallë se Drenica do të njihet edhe për talent, me njerëz të talentuar që po na bëjnë krenar”, ka thënë Jashari.
Përndryshe, rekordin e lules më të madhe në botë e mbante Franca, me lulen me diametër prej pesë metrash. Kurse pas punës së Arbnora Idrizit, këtë rekord tashmë e mban Kosova, me lulen origami me diametër prej 8.7 metrash.