Asnjë kandidat shqiptar nuk është paraqitur në konkursin e fundit të Agjencinë Operative Teknike. Sipas konkursit të shpallur në këtë dikaster për ndjekje të komunikimeve ky trup duhet të numërojë shtatë anëtarë, prej të cilëve tre ekspertë dhe tre përfaqësues të sektorit joqeveritar me përvojë në fushën e drejtësisë, telekomunikimeve dhe teknologjive informatike ose mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, sigurinë dhe mbrojtjen. Për mos konkurrimin e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera reagoi deputeti i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
“Është me rëndësi që të respektohet kriteri i përfaqësimit të bashkësive etnike, nëse dalim me kësi përbërje pa asnjë përfaqësues të asnjë bashkësie tjetër etnike në shtet, me të vërtetë do të tregojmë praktikë jo të mirë dhe mendoj se qartë do të shkelet edhe norma kushtetuese për përfaqësim të drejtë. Andaj, mendoj se në këtë moment duhet të gjithë të kemi kujdes, nëse mundet ky konkurs të anulohet dhe të kemi konkurs të ri”, tha Afrim Gashi, Lëvizja Besa.
Anulim kërkoi edhe deputeti i BDI-së Ejup Halimi.
“Kërkoj që kjo pikë e rendit të ditës ose në rast se nuk ka konsensus nga gjithë deputet që të anulohet konkursi dhe të shpallet konkurs i ri. Për arsye se nuk ka pasur interesim ose njoftim nga përfaqësues ose të shoqërisë joqeveritare ose nga qytetarët të paraqiten në këtë konkurs ose të shtyhet në një seancë tjetër nëse nuk ka konsensus ose ta anulojmë këtë konkurs” tha Ejup Halimi, BDI.
Deputetja, Ivana Tufekxhiq kërkoi nga LSDM që së pari të bëhet zgjedhje e pjesërishme e katër nga shtatë kandidatët e nevojshëm, ndërsa konkurs të shpallet vetëm për tre anëtarët e tjerë. Kryetari i komisionit për emërime, Ilija Dimovski tha se në shpalljen e anuluar sipas vendimit të Parlamentit të 18 tetorit nga viti 2018, janë paraqitur gjithsej tetë kandidatë prej të cilëve shtatë i plotësojnë kriteret. Mes tetë kandidatëve të paraqitur në shpallje janë edhe profesorët Goran Kallajxhiev, Katerina Kërstevska Savovska dhe gjykatësja Margarita Caca Nikollovska. Për shkak të qëndrimeve të ndara, anëtarët e komisionit u dakorduan që debatin për këtë pikë ta shtyjnë për të hënën e ardhshme./Tv21/