Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak.
Haradinaj ka thënë se masakra e Reçakut tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë.
“Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë, shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe pavarësi. Sot, në nderim të dëshmorëve e martirëve kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
Me pietet dhe respektin më të thellë, përjetë do t’i kujtojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë, që me flijimin e tyre u bënë gurthemel i lirisë sonë.