Rreth 150 familje nga Saraji tani dy muaj pa rrymë (Video)


Jo një ose dy ditë, por tani dy muaj të plota rreth 150 familje nga fshati Lubin i Sarajit për çdo ditë përballen me mungesë të rrymës elektrike. Gjatë kësaj periudhe më tepër janë pa drita, se me drita, kurse pesë-gjashtë ditët e fundit nuk kanë pasur fare rrymë, shkruan Gazeta Lajm. Një pjesë e pajisjeve shtëpiake janë dëmtuar. Banorët e kësaj lagje janë detyruar të hedhin edhe rezervat ushqimore nga frigoriferët, pasi janë prishur.

Vështirës më të mëdha në këto ditë të ftohta dimri, mungesa e rrymës po i shkakton për fëmijët dhe pleqtë, thonë banorët. Për këtë arsye shumë prej tyre i kanë dërguar fëmijët edhe te familjarë në fshatrat përreth, shkruan Gazeta Lajm.

Në këso rrethana, banorët janë të detyruar të gjinden ashtu si dinë e si munden. Temperaturat e ulëta vetëm se e vështirësojnë situatën.

Banorët kërkojnë ndihmë edhe prej komunës për zgjidhjen e problemit, me të cilin periodikisht përballen çdo dimër në tre vitet e fundit. Për EVN-në thonë se nuk tregohet fare e interesuar. Nëse problemi nuk zgjidhet sa më shpejtë, paralajmërojnë edhe protesta dhe bllokadë të autostradës Shkup-Tetovë.

Edhe përskaj tentimeve të bëra, deri në përgatitjen e kronikës nuk arritëm të sigurojmë qëndrim nga EVN lidhur me këtë problem dhe mundësitë për evitimin e tij.