Mustafa Nano: Myslimanët duhet ta luftojnë burkën


Në monologun e kësaj të premte në emisionin “Provokacija”, Mustafa Nano u ndal te burka, një veshje që mbulon edhe fytyrën e grave. Për moderatorin kjo veshje duhet ndaluar në publik për një arsye. Sipas Nanos është e drejta e gjithkujt që në një mjedis publik të shohë në sy tjetrin.

Mustafa Nano: “Mua më ka qëlluar të shoh ndonjëherë në rrugët e Tiranës gra të veshura me burka, dmth të mbuluara kokë e këmbë. Për ata që nuk e dinë, burka është ajo veshja që mbulon edhe fytyrën e grave. Por më duhet të them se në Tiranë, dhe në Shqipëri, burka nuk është shumë e përdorshme. Falë Zotit. Është më pak e përdorshme sesa në disa vende të Europës. Dhe prandaj, në Perëndim kanë filluar ta ndalojnë përdorimin e saj. Të fundit që nxorrën një ligj që ndalon përdorimin e burkës janë danezët. Dhe pati mes danezëve që dolën të protestonin kundër këtij ligji. Pati edhe danezë vendas, dua të them. Të majtë, feministë, etj që thoshin: Ky ligj është kundër të drejtave të njeriut. Me fjalë më konkrete, kundër të drejtave të grave për t’u veshur ashtu si ato duan.

Mua, këta europianë që janë kundër ndalimit të burkës, në rastin më të mirë më duken naivë, për të mos thënë leshko. Sepse i tillë duhet të jesh nëse beson se ka gra që zgjedhin vetë të mbulohen. Nuk ka gra që zgjedhin vetë të mbulohen me burka. Ka gra që zgjedhin vetë të besojnë në Zot, ashtu siç ka edhe burra, por nuk ka gra që të zgjedhin vetë të mbulohen të tëra, duke lënë të hapur vetëm këtë pjesën para syve. Dhe nëse del ndonjë grua dhe më thotë mua se “po, unë e kam vendosur vetë të mbulohem me burka”, përgjigja ime do ishte: Jo, je ti që i ke mbushur mendjen vetes se vendimi është i yti, por në të vërtetë vendimi është i trushpëlarësit tënd. Është si me një kamikaze, apo jo? Edhe një kamikaze kështu mendon, mendon se është ai vetë që vendos të hedhë në erë veten. Por ka ndonjë njeri që e beson këtë?

Por edhe sikur të binim dakord se ka gra që vendosin vetë të mbulojnë fytyrën, ne prapëseprapë do duhej t’ua ndalonim këtyre grave të vishnin burka. Dhe jo në emër të mbrojtjes së laicitetit, siç kanë bërë francezët, dhe as në emër të mbrojtjes së dinjitetit të grave që mbulohen. Këto gra bën vaki që dinjitetin e tyre e masin me masën, në të cilën mbulohen, dhe në këtë kuptim është punë e tyre të mbulohen. Le të rrinë gjithë jetën të mbuluara, dhe kudo, edhe në shtrat nëse duan. Por jo në një mjedis publik, ku cënohet e drejta e njerëzve për të parë në fytyrë këdo që është pranë tyre. Mua më duket se e drejta për të parë në fytyrë këdo, në një mjedis publik, duhet të futet te të drejtat themelore të njeriut. Nuk është quajtur një e drejtë themelore deri më sot, por sipas meje do duhet të quhet. Dhe do duhej të formulohej në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, në stilin e formulimeve të bëra në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut: “Çdo njeri ka të drejtë t’i shohë fytyrën tjetrit në një mjedis publik”. Madje, sikur të varej nga unë, për ta bërë formulimin më të bujshëm, fjalën fytyrë do ta zëvendësoja me fjalën surrat: Çdo njeri ka të drejtë t’i shohë surratin tjetrit në një mjedis publik”.

Sipas Nanos, hapësira publike është menduar si hapësirë ku njerëzit shohin njëri-tjetrin.

Për të, burka është në listën e gjërave që ushqejnë islamofobinë

Mustafa Nano: “Qytetërimi perëndimor mund të përkufizohet në shumë mënyra, por një mënyrë do të ishte ta quanim qytetërimin e ekspozimit të fytyrave, e komunikimit sy më sy. Hapësira publike gjithashtu është menduar gjithnjë si një hapësirë, ku secili sheh secilin. Ndryshe, nuk do të quhej hapësirë publike. Një hapësirë ku lëvizin hije e maska nuk do mund të quhej publike. Dhe prandaj kjo është një arsye tjetër pse burka duhet ndaluar. Nëpër rrugë nuk duhen lejuar njerëz që ngjajnë si grabitës bankash apo që ngjajnë si kuti postare. Kështu i quajti Boris Johnsoni në një shkrim të tijin gratë që dalin të mbuluara me burka e me nikab.

Dhe me të drejtë, sipas meje. Por një pjesë njerëzish në Britaninë e Madhe, mes tyre edhe kryeministrja May, e rrethuan me presion, dhe i kërkuan që t’i tërheqë këto cilësime, pasi janë fyese dhe nxisin islamofobi. Në fakt, është e kundërta. Në listën e gjërave që ushqejnë islamofobinë burka është në krye. Një grua me burka në rrugë nuk ka se si të të bëjë të mendosh mirë për Islamin. Prandaj, të parët duhet të jenë vetë myslimanët që duhet ta luftojnë burkën”.