Maqedoni, mijëra euro gjoba për punëdhënësit që nuk e lëshojnë K-15 – rrogën e 13-të


Punëdhënësit nga vendi që nuk kanë paguar regres për punonjësit e tyre kërcënohen me gjobë deri në katër mijë euro ose dënim me burg. Marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin privat në ekonomi, parashikon që regresi të paguhet jo më vonë se dita e fundit e vitit, njofton Alsat-M. Shuma minimale e pagesës për vitin 2018 ishte nga 9600 deri në 14100 denarë ose 40 për qind e pagës mesatare të tre muajve të fundit, por me kusht që punonjësi të ketë punuar të paktën gjashtë muaj në vitin kalendarik me të njëjtin punëdhënës.

Nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thonë se në dy apo tre vitet e fundit janë regjistruar shumë raste në të cilat punëdhënësit kanë paguar një shumë të vogël regresi për pushime vjetore, domethënë 500 deri në 1000 denarë. Keqpërdorime kishte gjithashtu te një numër i punonjësve që kishin përdorur pushimin e lindjes dhe nuk iu është paguar regresi, megjithëse është i garantuar me ligj.