Çdoherë kam konsideruar se Marrëveshja e Prespës, në mënyrë të balancuar, të drejtë dhe të dobishme i zgjidhë çështjet që shkaktonin dyshime dhe ndarje mes vendit tonë dhe IRJM-së, thotë ministri grek pa resor dhe zëdhënës i Qeverisë, Dimitris Xanakopullos në intervistën për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA dhe shton se amandamentet e parashtruara kushtetuese, por edhe deklaratat e fundit të kryeministrit të Maqedonisë e konfirmojnë këtë qëndrim, ndërsa paralelisht i rrëzojnë argumentet e Demokracisë së Re.
Xanakopullos potencon se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës i shërben interesave të Greqisë dhe rajonit më gjerë dhe shprehi bindje se do të ketë shumicë në parlamentin grek, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Në bazë të qëndrimeve të shprehura për këtë çështje, është e qartë se Marrëveshja e Prespës grumbullon shumicën absolute nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Dhe unë jam i bindur se forcat progresive politike dhe deputetët progresivë pavarësisht dallimeve që mund t’i kenë me politikën qeveritare, nuk do ta lënë këtë mundësi historike të pashfrytëzuar”, thotë Xanakopullos dhe shton se prioritet duhet të jenë interesat e vendit, e jo taktikat parazgjedhore apo synimet partiake.
I pyetur për atë nëse ndoshta Demokracia e Re do të votonte për protokollin për hyrje të Maqedonisë në NATO, zëdhënësi i qeverisë greke dhe ministër pa resor thotë se “kjo do të varet nga vëllimi i hipokrizisë së Micotakisit”.
Lidhur me atë nëse tërheqja e mundshme e Grekëve të Pavarur do të mund të çonte edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Xanakopullos sqaron se qeveria do ta përfundoj mandatin, sepse pas daljes nga memorandumet, “para vetes ka sfida të mëdha politike dhe institucionale”. Si qëllime qeveritare i përmendi rritjen e rrogës minimale, përfundimin e revizionit kushtetues, përforcimin e rrjedhës pozitive të ekonomisë, uljen shtesë të papunësisë, finalizimin e dialogut me kishën, miratimin e masave për mbështetje sociale.
“Të jeni të sigurt se korelacionet ekzistuese parlamentare garantojnë se qeveria do t’u përgjigjet këtyre sfidave dhe do t’i arrijë caqet me shfrytëzimin e mandatit katërvjeçar”, thotë Xanakopullos në intervistë për ANA-MPA, transmeton MIA.