Maradona lë spitalin pas problemeve shëndetësore (Video)


Legjenda e futbollit të Argjentinës, Diego Maradona, ka lënë spitalin në Buenos Aires, ku u pranua pasditen e së premtes, pas shqetësimeve që lindën nga një kontroll mjekësor rutinë.

Sapo u dha alarmi, Diego u vizitua në klinikë nga motrat e tij, vajzat Giannina dhe Jana, si dhe djali Diego Junior, i cili ndodhet në Argjentinë për pagëzimin e djalit të tij, Dieguito Matias.

Vetëm pak orë para këtij shtrimi në spital, agjenti i Maradonës, Matias Morla, kishte njoftuar se klienti i tij kishte arritur një marrëveshje për rinovimin e një kontrate vjetore me Dorados, klubi meksikan i divizionit të dytë, me të cilin arriti triumf në kampionat.

Megjithatë, kthimi i tij në Meksikë do të duhet të presë, pasi mjekët, pasi e kanë nxjerrë nga spitali, e kanë detyruar të qëndrojë në Buenos Aires për t’u trajtuar.

Dje u dha lajmi se Maradona ishte diagnostikuar me hemoragji në stomak dhe do t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale për të eliminuar problemin e shfaqur. Por, qëndrimi në spital ka qenë i shkurtër, ndryshe nga sa mendohej.

Më herët, gjatë ditës së premte, ishte folur mbi faktin se Maradona nuk kishte dalë në stërvitje me ekipin meksikan, Dorados, duke hamendësuar për probleme me shëndetin.

Fillimisht ishin televizionet argjentinase, që kishin aluduar se Maradona po vuante nga depresioni, pas ndarjes me të dashurën Rocio Oliva. Gjithsesi, lënia e spitalit tregon se nuk bëhet fjalë për gjë serioze.