Simiq: Serbët e Kosovës festuan vitin e ri në ankth


Ai ka thënë se “shqiptarët e Kosovës japin deklarata se si dëshirojnë paqe dhe kompromis, mirëpo nga ana tjetër, po i fusin taksat, i arrestojnë në mënyrë të kundër ligjshme serbët, dhe miratojnë ligje për formimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Serbët në Kosovë, kur të gjithë kanë festuar, me ankth kanë pritur Vitin e Ri duke mos ditur se çfarë do të ndodhë në vitin 2019, ka deklaruar nënkryetari i Listës Serbe Igor Simiq.

“Bllokada totale e distribuimit të prodhimeve serbe në Kosovë, e kur e dimë se 95 për qind të serbëve në Kosovë i shpenzojnë prodhimet të cilat vijnë nga “Serbia qendrore”, shkakton tensione dhe brengosje se çfarë sjellë e ardhmja”, ka thënë Simiq për televizionin serb TV Pink.

Ai ka shtuar se “shqiptarët e Kosovës japin deklarata se si dëshirojnë paqe dhe kompromis në dialog të Beogradit dhe Prishtinës, mirëpo nga ana tjetër, po i fusin taksat, i arrestojnë në mënyrë të kundër ligjshme serbët, dhe miratojnë ligje për formimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Siç ka thënë, Prishtina “po sillet si fëmijë i lazdruar të cilës i është lejuar gjithçka nga mentorët e tyre perëndimorë”.

“Prishtina i dërgon mesazh serbëve të Kosovës – ja se çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Simiq.

Ai gjithashtu ka deklaruar se “shqiptarët po paralajmërojnë se do ta heqin kufirin me Shqipërinë ndërsa komuniteti ndërkombëtar nuk reagon, gjë që tregon dyfytyrësinë e tyre”, duke pyetur se “çfarë do të ndodhte sikur që këtë ta bënin Republika Serbe dhe Serbia”, duke vlerësuar se përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar do të mblidheshin nga të gjitha anët për të treguar për dëmin e këtij vendimi.

“Në këtë rast kjo po kalon pa asnjë dënim. Nuk ka asnjë dënim në të cilin flitet për shkelje të akteve ndërkombëtare. Nga këto vendime krijohet frikë, gjyshërit tanë ende kujtojnë Luftën e Dytë Botërore dhe Shqipërinë e Madhe dhe kjo shkakton brengë në mes të serbëve të Kosovës”, ka shtuar Simiq.