Prishtina ka nevojë për një xhami të re, por përpjekjet e Turqisë për të ndërhyrë në shtetin e ri të Ballkanit me investime dhe avokim janë duke ngritur shqetësime. Kështu shkruan gazeta e njohur britanike, The Guardian, në një artikull të publikuar sot në lidhje me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë.Në artikullin e titulluar: “Dhurata e Turqisë për xhaminë ndez frikën e ‘neo-otomanizmit’ në Kosovë”, The Guardian thekson se pavarësisht se shumica e popullsisë në Kosovë i përkasin fesë myslimane, ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, financuar nga Turqia, ka ngritur shqetësime.“Kundërshtimi ndaj shumë xhamive të reja anembanë Evropës është i rrënjosur nga frika e Islamit, por fakti se nga 20 persona 19 janë myslimanë në Kosovë, rezistenca ndaj xhamisë së re të Prishtinës nuk përputhet me atë të Evropës. Disa banorë vendas e shohin atë si një simbol të ndikimit mbizotërues të Turqisë, ndërsa të tjerët dyshojnë në kthimin e besimit në një hapësirë publike laike”, shkruan The Guardian.
Ndër kundërshtarët më të zëshëm të projektit janë arkitektët lokalë, shkruan gazeta britanike.“Edhe pse tenderi publik theksoi nevojën për një ndërtesë origjinale, dizajni i zgjedhur është klasik osman”, shkruan The Guardian. “Projekti është duke u mbikëqyrur nga drejtoria e shtetit turk për çështjet fetare, Diyanet, e cila ka ndërtuar dhjetëra xhami të tjera nëpër botën islamike vitet e fundit”.
Diyanet thotë se xhamia do të bazohet në xhaminë e famshme Selimiye të shekullit të 16-të në Edirne, në veri-perëndim të Turqisë.“Mbi 30 dizajne u paraqitën vetëm disa muaj pasi thirrja për dizajnet u bë në vitin 2012.
Edhe Zaha Hadid propozoi një dizajn,” thotë arkitekti kosovar Arbër Sadiki për The Guardian.“Por para se të mbyllej konkursi, myftiu Tërrnava në intervista për shtypin tregoi se si do dukej xhamia e re”.