Pse u revoltuan tre avokatët?!

Pa përfaqësim të mjaftueshëm të avokatëve shqiptarë janë zgjedhur organet udhëheqëse dhe kryetari Odës së Avokatëve. Avokati Agron Halimi thotë se ai dhe pjesa më e madhe e kolegëve të tij, nuk kanë marrë asnjëfarë njoftimi për asamblenë e Odës së Avokatëve që u mbajt fundjavën e kaluar në Strugë, ku u zgjodh edhe kryetari i ri i kësaj ode.

Kolegu i tij, avokati Naser Raufi, paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa më radikale në qoftë se udhëheqësia e Odës së Avokatëve, nuk i merr parasysh kërkesat e tyre.
Ata propozojnë ndryshim të mënyrës së votimit dhe të statutit.

“Mendoj se shumë avokat cilësor shqiptarë ka në Shkup por edhe në qytetet e tjera, dhe mendoj se duhet të gjendet mënyrë për zgjidhje sistematike me qëllim që të marrin pjesë gjithë etnitetet në organet e Odës së Avokatëve”, tha Asmir Alispahiq, avokat.
Nga Oda e Avokatëve, thonë se zgjedhja është bërë në mënyrë transparente.

Procedura e zgjedhjes së delegatëve si dhe të anëtarëve të organeve të odës u zbatua në pajtim me ligjet dhe dispozitat e odës, në mënyrë transparente, kështu që secili delegat mund të propozoj kandidatë për anëtarë në Bordin drejtues dhe në organet e tjera të Odës. Avokatura është shërbim i pavarur, i rregulluar sipas Kushtetutës dhe Ligjeve të RM-së. Oda nuk është organ i shtetit, e as i vetëqeverisjes lokale”, nga Oda e avokatëve të RM-së.

Më shumë se pesë vite, në krye të Odës së Avokatëve ishte Nikolla Dodevski. Atë e zëvendësoi avokati, Lubomir Mihajllovski Xhango, ndërsa zv.kryetar i Odës është Besim Rexhepi, avokat nga Gostivari.