Disa anëtarë të ASH-së nga Shkupi e Kumanova, shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të drejtuesve të këtij subjekti politik, duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të krerëve më të lartë të partisë, shkruan Gazeta Lajm.
Gjatë një dalje publike në Kumanovë, grupi i ashtuquajtur “Këshilli për të vërtetën e ASH-së” që paraqitet si themelues i saj, akuzoi kryetarin e Ziadin Sela dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt se kanë devijuar nga parimet kryesore të partisë dhe po punojnë vetëm për përfitime personale.
Arban Balliu, tha se në të ardhmen ky grup mund të mbështesë ndonjë subjekt tjetër shqiptar. Sipas tij Kongresi i ASH-së është manipuluar ndërsa në parti janë emëruar figura të dyshimta dhe të implikuara. “Paramendoni Elmi Aziri, ende paguhet si zëvendës ministër prej Qeverisë nga e cila dha dorëheqje. Zijadini, Arbeni, Ilmu, Remziu kanë llafe shumë por punë fare. Ata po manipulojmë me interesat e shqiptarëve dhe po përfitojnë në kurriz të tyre” ka thënë mes tjerash Balliu.
Më tej ai i ka kujtuar Selës premtimet parazgjedhore, për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe, Parlamentin dydhomësh, Buxhetin proporcional, premtime këto për të cilat Balliu tha se Sela hoqi dorë menjëherë sa u bë pjesë e qeverisë së Zaevit dhe nuk I përmendi më asnjëherë. “Sa herë që shqiptarët kanë probleme apo brenda partisë ka pakënaqësi, Sela me grupin e tij ikën në diasporë dhe fshihet nga anëtarët e partisë dhe elektorati” tha mes tjerash Balliu.