Nesër bëhen një javë që kur Qeveria e Kosovës vendosi ta rrisë në 100% taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. E deri tash vërehet rënie drastike e interesimit të bizneseve serbe për të futur mallra në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur se deri më tani në Kosova kanë hyrë vetëm dy maune.
Njëra sipas tij që ishte nga Serbia dhe tjetra nga Bosnja. Hyrja e tyre është mundësuar tek pas pagesës së taksës.
“Deri më sot vetëm dy maune kanë hyrë në Kosovë duke paguar taksën prej 100 % të vendosur nga qeveria, respektivisht njëra me origjinë të Bosnjës e tjetra me origjinë nga Serbia”, tha Stavileci.
Vendosja e taksës e ka bërë të pamundur hyrjen e produkteve serbe e boshnjake në Kosovë. Si rezultat edhe fluksi i maunave ka rënë.
Stavileci ka bërë të ditur se deri më tani janë kthyer rreth 20 maune. Sipas tij një numër është kthyer për shkak të taksës, e disa edhe për shkak të deklaracionit të gabuar.
“Tani fluksi ka rënë, por në ditët e para të vendimit janë kthyer rreth 20 maune të cilat janë kthyer për arsye kryesisht të taksës së vendosur, por ka pasur edhe disa raste për shkak të deklaracionit të gabuar”, deklaroi Adriatik Stavileci për Insajderin.
Rritja e taksës në 100% ka shkaktuar reagime të ashpra te serbët, njofton Express.
Madje sot po raportohet se katër kryetart e komunave në Mitrovicën Veriore kanë dhënë dorëheqje.
Gjithashtu gjatë ditës do të ketë edhe nje protestë rreth kësaj takse.