Ja kush kërkon burg për drejtuesit e Jugohromit

Lidhur me deklaratën e drejtorit të Jugohromit Vasko Skenderovski që ata do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria 12 milionë euro për vendosjen e filtrave, Lëvizja Eco Guerilla reagon ashpër ndaj tendencave për manipulim dhe blerje kohe që bëhen këto 4 vite nga kjo kompani.

Deri më sot asgjë nuk u bë për përmbushjen e të gjitha standardeve ekologjike. Në një ekonomi tregu të cilës i synon Maqedonia, nuk ka vend për ndihmë shtetërore të një super-ndotës.

Prandaj, kërkojmë nga organet kompetente, policia dhe prokuroria njësoj si në rastin e “REK Bitola” të ngrihet kallëzim penal për drejtorin dhe pronarin e Jugohromit dhe përgjegjësve të tjerë, për ndotje të ambientit jetësor.

Gjatë punës pa standarde ekologjike, kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në shëndetin e qytetarëve, posaçërisht fëmijëve, ashtu edhe siç u vërtetua me të dhënat e Institutit të shëndetit publik të RM.

Jugohromi dhe udheheqesia e tij , duhet të paguajë dëmshpërblim millionësh për helmimin që u ka bërë tetovarëve. Numri i fëmijëve të sëmurë ishte dyfish më i lartë në kohën kur punonte se sa kur ishte i mbyllur.