Vulin: Ushtria serbe, e gatshme të mbrojë jetët e serbëve në Kosovë


Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se “Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të Komandantit suprem, presidentit të shtetit Aleksandar Vuçiq”, që, siç tha ai, të mbrojë jetën e serbëve në Kosovë.

“I kemi siguruar të gjitha parakushtet, nëse do ta bëjmë ose jo, kjo është çështje e udhëheqjes shtetërore”, tha Vulini për Radio Televizionin e Serbisë, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se Vuçiqi çdo ditë mban llogari për atë nëse ushtria është në gjendje të bëjë atë që duhet për të mbrojtur popullin serb.

Vulini akuzoi Kosovën se po e shkel Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim (MSA) dhe CEFTA-n dhe shtoi se “vendimet e Prishtinës nuk mund të parashikohen”.

“Ajo që varet nga Serbia, do ta bëjmë, por mjaft u dëshmuam para Evropës, është koha që edhe ata të dëshmohen”, deklaroi Vulini.