U caktohet burgu tre të dyshuarve, të arrestuar në Veri, për ekzekutimin e Ivanoviqit

Mëngjesi i djeshëm nuk ishte i këndshëm për banorët e Mitrovicës së Veriut. Ata u zgjuan me krisma armësh dhe alarme që paralajmërojnë kriza. Gjithë kjo, pasi Policia arrestoi katër persona, që dyshohet se kanë lidhje me ekzekutimin e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, që ndodhi në janar të këtij viti. Tre prej të kapurve, sot Gjykata u ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim. Ndërkohë, që Policia ende është në kërkim të liderit të veriut, Milan Radojcic, shkruan Gazeta Express.

Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markovic dhe Marko Rosic, kanë dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi u kapen të premten nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Atyre, Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorit, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre të kapurve lidhur me ekzekutimin e Oliver Ivanoviqit.

Avokatët e të paraburgosurve kanë paralajmëruar se do paraqesin ankesë në Apel lidhur me caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore.

Ndërkohë, që Policia është ende në kërkim të edhe të dy personave të tjerë, që dyshohet se kanë lidhje me këtë rast.