Gruevski dhe Zaev janë dëgjuar në telefon pak minuta para ikjes?


Ish kryeministri Nikolla Gruevski u ka dhënë ujë me bishtin e lugës shërbimeve të policisë. Falë një skenari të organizuar mirë, ai u arratis nga Maqedonia dhe tani po gëzon azil në Hungari. Duket se plani i tillë ishte zier dy javë më herët nga takimi i tij me ambasadorin hungarez në Maqedoni. Një ditë para datës së caktuar për t’u paraqitur në burg, ai krijoi përshtypjen se po blinte edhe rrobat dhe gjërat e nevojshme për në burg. Madje dy ditë para arratisjes, sipas informatave të Alsat ai është përshëndetur edhe me të afërmit dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Nga burime konfidenciale Alsat mëson se Gruevski arratisjen e ka realizuar në disa faza. Plani i arratisjes nisi në orët e darkës, kur gjoja me makinën e tij ka dalë për një xhiro nëpër kryeqytet. Pak minuta më vonë, Gruevski fillon të zbatoj planin e arratisjes. Mendohet se nga garazhi i bllokut ku banon ka dal me veturën personale. Nga dalja e garazhit, mendohet se një veturë e tipit “Fiat” me ngjyrë të bardhë e ka përcjell deri tek rreth rrotullimi në një lagje, jo larg nga qendra e Shkupit. Nga aty, kamerat e sigurisë “Safe City” dëshmojnë se makina e tipit “Fiat Punto” me ngjyrë të gjelbër është kthyer për në garazh, por jo edhe ish kryeministri. Mendohet që në start nuk ka hipur në makinën e tij personale, por direkt në makinën e bardhtë të shërbimit hungarez, derisa makinën e tij personale ta ketë përdorur një bashkëpunëtor nga ambasada hungareze dhe më pas ta ketë kthyer në garazh.

Nga rreth rrotullimi, makina dyshohet të jetë nisur për në Dibër, nga ku jo zyrtarisht mësohet që Gruevski ka kaluar kufirin ilegal mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Për të mos rënë në sy nga shërbimet policore, Gruevski mësohet të ketë shfrytëzuar rrugë dytësore dhe jo autostradën ku ekzistojnë kamera të sigurisë.

Burimet flasin për një bisedë telefonike mes Gruevskit dhe kryeministrit Zaev, pak minuta para se ish kryeministri të fillonte të zbatonte planin e tij të arratisjes. Alsat kontaktoi kryeministrin Zaev, i cili e hodhi poshtë një fakt të tillë, duke shtuar se prej kohësh Zaev nuk ka pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me Gruevskin, përveç që në raste të caktuara kur kanë komunikuar përmes korrierëve të tyre.

Në një situatë të tillë, sektori për analitikë në DSK rezulton i dështuar, posaçërisht duke mos marrë parasysh indiciot për arratisjen e tij. Për t’u shfajësuar, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski drejtoi gishtin tek Gjykata Themelore mbi faktin e mungesës së autorizimeve për masa të veçanta të kujdesit dhe informatave operative mbi arratisjen e mundshme të Gruevskit.

Si iu shmang Gruevski autoriteteve pa pasur dokumente për udhëtim?

Duke shfrytëzuar marrëveshjet ndër-shtetërore për kalime kufitare me letërnjoftime, e që paraprakisht gjykata nuk i kishte konfiskuar letërnjoftimin Gruevskit, kjo bëri që ish kryeministri  në Shqipëri të futet ilegalisht, ndërsa nga Shqipëria të dalë me automobil diplomatik të ambasadës hungareze përmes vendkalimit Hani i Hotit në kufirin me Malin e Zi. Traseja e bërë nga Gruevski në Shqipëri, ngrit dyshimet për përfshirje të autoriteteve shqiptare në arratisjen e tij, për faktin që shteti shqiptar edhe pas informacioneve operative, nuk kishte arritur të parandalojë hyrjen e tij në mënyre ilegale. Letërnjoftimi i ka shërbyer sa për verifikim në situatë të pazakonshme, për faktin që transporti me automobil diplomatik i ka garantuar status të veçantë. Autoritetet shqiptare dolën me qëndrim zyrtarë duke konfirmuar lëvizjen e Gruevskit nëpër Shqipëri, por pa iu përgjigjur pyetjeve nëse Shqipëria ka gisht në ikjen e tij. Presidenti Ilir Meta ikjen e Gruevski e cilësoi si të pa përgjegjshme, pavarësisht se ishte një ndër të akuzuarit për ikjen e Gruevskit drejtë Hungarisë, falë bashkëpunimit disa vjeçarë që kishin LSI dhe VMRO-DPMNE-ja në Pustec të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ekspertët hedhin dritë mbi kërkesën e Gruevskit për azil përmes Tiranës dhe pse posaçërisht zgjodhi të arratisej përmes Shqipërisë, e cila për 3 vitet e fundit në pushtet, për Gruevskin ishte shtet me pretendime territoriale dhe me qëllime për federalizim, falë platformës së Tiranës siç e cilësoi subjekti i tij deri para 27 prillit të përgjakshëm, si alibi për të mos dorëzuar pushtetin.

“Sipas Hungarisë, të gjitha vendet e rajonit janë të cilësuara si vende të rangut të tretë në sferën e sigurisë. Në qasje individuale, Gruevski patjetër do të duhej të shpjegonte pse Shqipëria, Mali Zi dhe Bullgaria për të nuk përbëjnë vende të sigurta. Që kur është futur në Shqipëri dhe ka kërkuar azil në ambasadën hungareze në Tiranë, procedura e tij numërohet nga momenti kur është dorëzuar. Kështu që, kalimi nëpër Mal të Zi dhe Serbi llogaritet si jo relevante”. – theksoi Zoran Drangllovski, Kryetar i Shoqatës së juristëve të rinj

Më 11 nëntor ora 19 Gruevski mësohet të jetë futur në Mal të Zi përmes vendkalimit Hani i Hotit me veturë zyrtare të ambasadës hungareze në Tiranë, me targa CD1013A. Malin e Zi mësohet ta ketë lëshuar pas orës 22. Zyrtarët malazez nuk kanë komentuar lëvizjen e Gruevskit, përveç autoriteteve të cilët kanë kumtuar se “në sistemin e hetimit nuk është paraqitur asnjë masë që ndalon lëvizjen e shtetasit Gruevski”. Nga ana tjetër as autoritetet serbe deri më tani nuk kanë komentuar zyrtarisht. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq deklaroi se Gruevski gjatë gjithë kohës ka qenë në shoqërimin e hungarezëve dhe se për organet e sigurisë nuk ka reflektuar rrezik. Vuçiq ka arsyetuar arratisjen e Gruevskit, duke e cilësuar dënimin ndaj tij si përndjekje politike. Ish presidenti serb, Boris Tadiq akuzoi Vuçiqin për involvim në arratisjen e Gruevskit nga Serbia drejtë Hungarisë.

Më 13 nëntor Gruevski përmes profilit tij në Facebook njoftoi se ndodhet në Hungari dhe ka kërkuar azil. Tre ditë më pas, Gruevski konfirmoi se autoritetet hungareze i kanë pranuar kërkesën për azil. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, pëlqimin për azil e arsyetoi me partneritetin strategjik që Gruevski dhe Orban kanë pasur ndër vite. Opozita hungareze, por edhe komuniteti ndërkombëtarë, akoma pret argumentet e qeverisë hungareze për strehimin e Gruevskit. Mes dy vendeve, ndonëse nuk ka marrëveshje për ekstradim, autoritetet në Maqedoni duke u thirr në konventat ndërkombëtare kërkojnë ekstradimin e Gruevskit për të vuajtur dënimin e shqiptuar. Megjithatë, Hungaria këmbëngul se Gruevski nuk do të ekstradohet, madje ministri i jashtëm hungarez theksoi se Gruevski ka mundësi të largohet edhe nga Hungaria.

Që atëherë, autoritetet vendase po punojnë për të zbardhur arratisjen e tij, por edhe pas dy javëve mbetet e pa qartë: Si iu shmang Gruevski organeve të sigurisë? Përse nga shërbimi u la larg listës së prioriteteve? Pse ndaj tij nuk kishte masa kujdesi? Si e kaloi kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë? Kush e ndihmoi? A ka shqiptarë të përfshirë në arratisjen e Gruevskit? Pse autoritetet në Tiranë e mbyllën çështjen me një njoftim të vetëm? Ku mbeti qëndrimi i autoriteteve të Serbisë? A janë përfshirë strukturat e inteligjencës serbe në ndihmën e Gruevsit për t’u arratisur? dhe mbi gjitha, Gruevski iku apo pas arratisjes tij fshihet marrëveshje me pushtetin? Mbase pyetjet asnjëherë nuk do të marrin përgjigje dhe epilogu do të zvarritet për vite, por ajo që dihet është se këto pyetje do të parashtrohen në çdo prononcim të autoriteteve të Maqedonisë dhe jo vetëm.