SHBA-TË I KËRKOJNË ALEATËVE TË MOS BLEJNË PAJISJE NGA HUAWEI

Qeveria Amerikane ka kërkuar nga operatorët e internetit dhe atyre celulare të vendeve aleate të shmangin pajisjet e telekomunikacionit me markën e Huawei raportoi Wall Street Journal.

Lëvizja do të shtonte presionin mbi prodhuesin më të madh në botë të pajisjeve të telekomunikacionit e cila është kritikuar ashpër nga agjencitë Perëndimore të Inteligjencës për lidhje të afërta me qeverinë kineze.

Zyrtarët Amerikanë kanë komunikuar me qeveritë e vendeve aleate dhe ekzekutivët e pajisjeve të telekomunikacionit të cilat Huawei i furnizon me pajisje.

SHBA-të kanë ndaluar furnizimin e kompanive Amerikane me pajisje të Huawei ndërsa Australia ka bërë të njëjtën gjë për pajisjet e rrjetit 5G.

Huawei vazhdimisht ka mohuar akuzat por nuk është e vetmja kompani Kineze nën shënjestër. ZTE ka humbur thuajse gjysmën e vlerës pas një gjobe 1.4 miliardë dollarëshe të autoriteteve Amerikane për shkeljen e sanksioneve Amerikane. /PCWorld Albanian