KUR PAZARI BËHET PA HANXHIUN !


Intrigat politike kundër shqiptarëve, që në vazhdimësi vijnë nga Qeveria aktuale ,,reformuese”, e kanë historikun e vet, madje që nga Dokumenti i Marrëveshjes së Prespës e më herët, kur shqiptarët i gjeti të përgjumur ose të dehur nga dëshira që Maqedonia të bëhet anëtare e strukturave veri- atlantike, dëshirë kjo e kahmoçme e tyre. Kryetari i Qeverisë, Zaev, i vetëdishëm se shqiptarët as që mund të reagojnë në këto momente historike dhe shumë të rëndësishme për to, nga ky dokument që parashihte edhe ndryshimin e Kushtetutës përmes amandamenteve, shqiptarët dhe gjuhën e tyre i eliminoi në mënyrën më të vrazhdë, edhe pse pala greke nuk e kontestonte etninë shqiptare dhe gjuhën e tyre në këtë shtet.

Kjo politikë antishqiptare, vazhdoi edhe me propozimin e Ministres se Punës dhe Politikës sociale, që të ndërrohet Ligji për përkrahjen financiare të familjeve për fëmijën e tretë, që erdhi si rezultat i diskriminimit të shqiptarëve, meqë këtë të drejtë filluan ta shrytëzojnë edhe ata. Ndoshta
nuk do vërejej kjo djallëzi, nëse ky ligj, që në fillimet e tij do sillej për të gjithë, e jo vetëm për komunat maqedonase. Që nga momenti kur Gjykata Kushtetuese vlerësoi se një ligj i këtillë është diskriminies dhe jo në harmoni me parimet humane demografike në vend, Qeveria e Maqedonisë e hartoi planin b., abrogimin e ligjit në fjalë, që për bazë kishte frazeologjinë popullore ,, Për inatë të resë, më vdektë djali” .

,, Margaritari “ tjetër diskriminizuesw i radhës i kësaj Qeverie, që u promovua nga Drejtori i Entit Statistikor, ishte regjistrimi i popullatës së Maqedonisë, që nuk e parasheh grafën e përkatësisë etnike dhe fetare. Deklarata e Drejtorit të këtij Enti, Apostoll Simoski, në intervistën me gazetarin e TV 21, lidhur me regjistrimin e popullatës, ishte skandaloze, skajshmërisht e politizuar, madje edhe primitive. Heqjen e rubrikës nga formulari regjistrues, ku do shënohej përkatësia etnike dhe fetare, ky drejtor, vegël e Kryeministrit Zaev, e arsyeton me depolitizimin sipas kutit të tij dhe të porositësve të këtij projekti antishqiptar të radhës. Kjo nismë e Qeverisë aktuale, që numrin aktual zyrtar të shqiptarëve edhe ashtu të falsifikuar, don ta pezullojë tërësisht, ka për qëllim forcimin e shtetit unitar, bartës i sovranitetit të të cilit janë vetëm maqedonasit, ndërsa shqiptarët as që do përmenden.

Idea që përmes gjuhës që e flasin qytetarët, të përcaktohet edhe përkatësia etnike, është gjithashtu amatoreske, joreale, madje qesharake, kur dihet se gjuha si mjet komunikimi është vetëm një nga shumë elementë që e përbëjnë një komb. Por, edhe kjo e ka prapavinë e vet, mbase, sipas këtij pazari pa hanxhiun, numri i maqedonasve do rritej duke shfrytëzuar disa bashkësi etnike jomaqedonase, një pjesë e të cilëve për shkaqe të ndryshme e kanë humbur gjuhën e vet, duke e zëvendësuar me ate maqedonase. Një pjesë e këtyre grupeve etnike, që mund të jenë vllehët, boshnjakët, torbeshët, serbët, romët, bullgarët, madje edhe turqit, si mjet komunikimi e përdorin gjuhën maqedonase, por nuk do të thotë se ata janë me përkatësi etnike maqedonase.

Me këtë model regjistrimi, maqdonasit llogarisin edhe te shqiptarët ortodoks të Rekës së Epërme por jo vetëm, një pjesë bukur e madhe e të cilëve tani më janë rikthyer ne identitetin evet, por që ende si mjet komunikimi e përdorin maqedonishten e imponuar shume vite më herët. Maqedonasit me paragjykime nacionaliste dhe disponim antishqiptar, nuk mund të pajtohen me këtë realitet, prandaj përmes klasës së tyre politike, të majtë qofshin ose të djathtë, këtë pjesë fatkeqe të popullatës shqiptare edhe mëtutje e konsiderojnë si maqedonase.

Këto plane ugurzeza të kësaj Qeverie, që si duket don t’ia kalojë edhe asaj paraprake, përgatiten në mënyrë tinëzare, duke shrytëzuar përqëndrimin politik të partive shqiptare në pushtet ,,për punë më të mëdha”, siç shprehen shpeshherë ata, madje edhe duke e akuzuar opozitën shqiptare se po bën politikë ditore dhe se dashka t’i kalojë punët e mëdha përmes dyerëve të vogla. Ky mosinteresim i pjesës shqiptare të Qeverisë për çështje me interes për kombin, si duket do dëshmohet edhe me refuzimin e disa amandamenteve të partive shqiptare opozitare, drejtuar Parlamentit, pasi me 80 vota ishte votuar nisma për ndryshime kushtetuese.

Mbase këto pazare në dëm të shqiptarëve edhe mund të kalojnë me hanxhinjtë që i mbajnë lirë interesat madhore të kombit !?
Prof.dr Vebi Bexheti