Prokuroria jep detaje për ngjarjen në Mramor, ku humbën jetën 4 persona


Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka, i ka thënë Kohës Ditore se një ekspert i komunikacionit është angazhuar për të vërtetuar shkaqet e aksidentit që ndodhi mbrëmë në fshatin Mramor të Prishtinës, në të cilën mbetën të vdekur 4 shqiptarë, e u lënduan 4 persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ambasadorja e Turqisë, Kivlicim Kiliç.

Hetimet e para, sipas Bekës, e bëjnë fajtor shoferin e veturës në të cilën kanë qenë viktimat.

“Nga hetimet e para shoferi i mjetit në të cilën kanë qenë viktimat është fajtori. Shoferi e ka pasur mundësinë për tejkalim por vetura ka qenë e dobët”, ka thënë Beka.

Vetura me të cilën po qarkullonin anëtarët e familjes Shala, të cilët mbetën të vdekur, është e markës Opel Corsa.

“Prokurori i rastit e ka angazhuar një ekspert të komunikacionit. Sot pritet të dalë ekspertiza e cila do t’i sqarojë shkaqet. Deri më tash dyshimet janë se përqindja më e madhe e fajit është e shoferit nga vetura e te cilës janë viktimat”, ka thënë Beka për Kohën Ditore.

Njësoj, më parë edhe prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka thënë për KTV-në, se dyshimet e para lidhur me aksidentin tragjik janë se vetura e tipit “Opel Corsa”, ka qenë shkaktari i aksidentit. Kjo, thotë Berisha, dyshohet se ka hyrë gabimisht në tejkalim.

Por ndryshe janë shprehur familjarët, që fajësojnë eskortën e ambasadores turke si shkaktar të aksidentit.

Elfete Rashiti, 65 vjeçarja e aksidentuar mbrëmë në Mramor, u varros sot në varrezat e qytetit të Gjilanit. KTV-jaka përcjell nga afër këtë ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj e ministri i Infrastrukturës, Pal Leka. Ata i kanë thënë ekzekutivit të vendit, se eskorta e ambasadores turke, Kivilcim Kiliç, ka qenë shkaktare e aksidentit.

Familjarët hedhin dyshimet se eskorta ishte në shpejtësi prej 180 km në orë.