Pasi nuk posedon pasaportë, Gruevski e ka kaluar kufirin vetëm me letërnjoftim, në bazë të marrëveshjes dypalëshe për lëvizje të lirë mes dy vendeve. Në kohën kur ka kaluar kufirin shqiptar, më pas edhe kufijtë e tjerë, për të nuk kishte të lëshuar asnjë fletëarrest, as kombëtar e as ndërkombëtar. Fletëarresti kombëtar u lëshua më 12 nëntor, ndërsa ai ndërkombëtar më 13 nëntor. Arratisja e tij i gjeti të papërgatitura forcat e rendit. Zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu, pohon se Gruevski ka kaluar ilegalisht kufirin me Shqipërinë por nuk jep detaje të mëtejshme pasi hetimet janë në rrjedhë e sipër.
“Deri më tani ne kemi informacione të verifikuara se në të gjitha pikat kufitare të Maqedonisë ai nuk ka kaluar në mënyrë legale. Shërbimet e Ministrisë së Brendshme i kanë shtirë aktivitet për të konsumuar të gjitha mundësitë për çdo segment të çdo skenari të mundshëm, tani për tani nuk mund t’u japim asnjë detaj për opinionin”,- tha zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.
Policia shqiptare ka konfirmuar se nuk ka evidencë elektronike se kur Gruevski ka kaluar kufirin Maqedoni – Shqipëri, kalim të cilin e cilëson si ilegal. Pasi është paraqitur në Ambasadën hungareze në Tiranë, Gruevski me makinë diplomatike ka kaluar kufirin me Malin e Zi, të dielën në orën 19:11 minuta, si bashkëudhëtar në veturën e Ambasadës së Hungarisë në Tiranë me targa CD1013A. Policia malazeze më tej konfirmon kalimin e makinës diplomatike në kufirin e saj, duke sqaruar gjithsesi se nuk kanë pasur dijeni se ish kryeministri maqedonas ishte person në kërkim.
Po në të njëjtën ditë ai kalon edhe kufirin serb nga vendkalimi kufitar Dobrakovo, në orën 22:16. Por, këtë kufi e ka kaluar me një tjetër makinë, e jo me atë të Ambasadës hungareze në Tiranë. Ende është e paqartë se si ka arritur Gruevski të kalojë kufirin Serbi – Hungari. Edhe pse mediat spekuluan se mund të ketë pasur pasaportë bullgare, një gjë e tillë u hodh poshtë nga Sofja zyrtare. Nga Serbia ende nuk ka konfirmim zyrtar për lëvizjet e Gruevskit brenda territorit të saj.
Mediat serbe shkruajnë se Gruevski është paraqitur në Ambasadën hungareze në Beograd, ku ka dhënë kërkesën për azil, por nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë, megjithëse kryeministri hungarez, Orban, tashmë ka konfirmuar se kërkesa për azil është bërë në një nga ambasadat hungareze jashtë vendit. Gjithsesi, autoritetet hungareze mohojnë të jenë përfshirë në ikjen e Gruevskit nga Maqedonia.
Gruevski tashmë ka paraqitur kërkesën zyrtare për azil edhe në Departamentin e Imigracionit dhe Azilit në Budapest, ku është marrë në pyetje. Kjo shkaktoi ditë më parë edhe reagimin e eurodeputetes holandeze, Xhudit Sargentini, që pyeti autoritetet hungareze se nëse Gruevskin po e trajtojnë si azilkërkues VIP.