Kosovë, Osmanit dhe Dedës iu anulua ftesa nga Serbia. Reagon SHBA-ja

Anulimi i ftesave për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ilir Deda, të cilët duhet të merrnin pjesë në një konferencë të organizuar në Serbi nga Parlamenti i atjeshëm si dhe ndalimi i hyrjes së karateistëve kosovarë në vend, ku ata do të duhet të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, kanë nxitur reagime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Demokratët e Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, nuk ngurruan të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj veprimit të Beogradit, që besohet të jetë bërë nga trysnia e ushtruar prej ultranacionalistit Vojisllav Sheshel, i dënuar për krime lufte, transmeton TCH.

Nëpërmjet dy mesazheve në Twitter, grupi i demokratëve, i udhëhequr nga Elliot Engel, i ka cilësuar si shembuj të mendjengushtësive veprimet e Serbisë.

“Nëse Serbia dëshiron të arrijë integrimin në Bashkimin Europian, duhet t’i ndalojë këto taktika fëminore dhe duhet të pranojë pavarësinë e sovranitetin e fqinjit të saj, Kosovës”, thuhet në reagim.

Ministria e Jashtme e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe ka ndërmend ta shtrojë çështjen përpara përfaqësuesve të Bashkimit Europian, që janë angazhuar me dialogun e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.