Aksident me pasoja fatale në Sllupçan

Aksident me pasoja vdekje ka ndodhur mbrëmë në rrugën lokale të Sllupçanit të Kumanovës ku një person ka humbur jetën, njofton Portalb.mk.

Prokurori publik i Prokurorisë Themelore të Kumanovës, bashkë me ekipin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbrëmë ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur aksident trafiku në të cilën e ka humbur jetën një person. Prokurori publik kompetent ka miratuar urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër një të dyshuari për kryerjen e veprës penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 i Kodit Penal, informojnë nga Prokuroria.

Ashtu siç thonë nga Prokuroria, aksidenti ka ndodhur mbrëmë në orën 21:30 në rrugën lokale e cila të dërgon në fshatin Sllupçan. I dyshuari është një 21 vjeçar, banor nga Likova, i cili ka lëvizur me automjet të tipit BMW me targa të Kumanovës, dhe nuk ka pasur patentë shoferi.

“Duke vozitur me shpejtësi më të madhe se sa e lejuara, i dyshuari ka goditur dy këmbësor – një çift bashkëshortor, të cilët kanë lëvizur në të njëjtin drejtim si vetura. Nga goditja e rëndë, në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë burri 39 vjeçar, banor i Sllupçanit, ndërkaq bashkëshortja ka marrë lëndime. Prokurori ka urdhëruar të kryhet ekspertizë teknike komunikacioni i veturës, por edhe të mblidhen gjurmët nga vendi i ngjarjes. Është dhënë edhe urdhër për kryerjen e autopsisë së trupit të të ndjerit. Prokuroria i ndërmerr të gjitha masat për konstatimin e fakteve në këtë lëndë”, informojnë nga Prokuroria.