IN MEMORIAM
MIKUT TIM, SHEMSEDIN IBRAHIMI – DINI
6 nëntor, 1992, në Tregun e Bit Pazarit në Shkup, ishin vrarë tre shqiptarë dhe një maqedonas, ishin plagosur tridhjetë dhe ishin arrestuar tetëdhjetë qytetarë
Shkup,
Logjika politike maqedonase po shkonte pas logjikës policore. Nuk mjaftonte inskenimi vetëm i një ngjarjeje. Kishte nevojë, që në teatrin e absurdit, të ngjiteshin edhe shfaqje të tjera, që situatën ta bënin edhe më kaotike. Të thyer politikisht, të pakonsoliduar institucionalisht, shqiptarët e Maqedonisë po “luanin” në filmin më tragjik, që ua kishte përgatitur politika maqedonase. Po bëheshin aktorë të pavullnetshëm të një drame, që kishte në thelb mashtrimin dhe devijimin nga rruga normale e zhvillimit demokratik të shoqërisë. Ishte objektiv madhor sllavo-maqedonas që faktorizimi politik i shqiptarëve të pamundësohej nëpërmjet inskenimeve e ngjarjeve të përgjakshme, që do të pasojnë, duke prodhuar në vazhdimësi armiq të stabilitetit të Maqedonisë së pavarur.
Më 6 nëntor 1992, në Tregun e Bit Pazarit në Shkup, ishin vrarë tre shqiptarë dhe një maqedonas, ishin plagosur tridhjetë dhe ishin arrestuar tetëdhjetë qytetarë, siç thoshte policia, për shkak të lidhjeve me një veprimtari kriminale.
Por, a ishte me të vërtetë ashtu siç pohonte policia maqedonase?
Të gjitha analizat e mëvonshme treguan se ishte një veprim i pamatur i policisë maqedonase, e cila mund të sillte deri te eskalimi i përgjithshëm i situatës. Shkas për të vepruar kishin qenë disa fëmijë që shitnin cigare për të siguruar kafshatën e bukës për familjet e tyre.
Nga pamjet që transmetonin mediet elektronike e, më vonë, edhe nga dëshmitarët okularë, fitohej bindja se po zhvillohej luftë e vërtetë në Bit Pazar me rrethinë, hapësira këto të banuara me shqiptarë.
Shemsedin Ibrahimi, një mik imi jetonte aty me familjen e tij. Pas disa orësh ankthi e tmerri, të përjetuar nga të shtënat policore dhe, nga zhurma e tankeve, kishte dalë përtej pragut të derës, te kthesa e parë, që ishte 5 metra larg shtëpisë së tij, për të parë se ç’po ndodhte, përkundër lutjes së gruas së tij që të mos lëvizte. Lutjet kishin qenë të kota. Pas dy minutash, Dini ishte goditur nga një snajperist, i cili nga tanku, në rrugën kryesore, kishte plagosur tejet rëndë, babanë e tre fëmijëve të pafajshëm.
Odisejadë të dhembshme e të tmerrshme kishte përjetuar familja me të plagosurin. Me orë të tëra, u pengua nga policia që të përkujdesej për të. Ndërkohë që gjakderdhja e madhe ia keqësonte gjendjen shëndetësore edhe ashtu të pashpresë e pavetëdije të mikut tim Dinit. Më pas u shfaq edhe injorimi i mjekëve maqedonas, për ta pranuar e përkujdesur këtë “terrorist shqiptar”, të vrarë në prag të shtëpisë së tij.
Dini ndërroi jetë pa i mbushur të dyzetat, në kohën kur fëmijët e tij kishin nevojën më të madhe të kenë babanë pranë tyre. Arianiti, Linda e Besforti 8 muajsh, ndërsa Gyneji mbeti e vejë në rininë e saj.