Fisnik Ismaili zbulon logon e plotë të PSD-së: Shpend, të priftë e mbara! (Foto)


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, tanimë nga radhët e grupit të deputetëve të larguar nga Vetëvendosje – GDP- Fisnik Ismaili ka zbuluar logon e re të Partisë Socialdemokrate.

Megjithatë, çfarë bie në sy është fakti se përveç publikimit të logos së re të Partisë Socialdemokrate, Ismaili përmes postimit njëkohësisht i ka uruar fat kolegut të tij, Shpend Ahmetit, përcjell Fakte.

“PSD. Eh… Kjo është logo e plotë. Shpend, të priftë e mbara!”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Nëse Shpend Ahmeti pritet të jetë kryetar i kësaj partie, pritet të shihet në vijim.

Ndërkohë deputeti Dardan Sejdiu nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) në një prononcim për Telegrafin ka folur rreth mbajtjes së Konventës së Partisë Socialdemokrate (PSD).

Sejdiu ka bërë të ditur se sot në orët e pasdites do të zgjidhet struktura e partisë Socialdemokrate, me kryetarin e ri.

Ai u shpreh se në këtë konventë do të marrin pjesë 240 delegatë të ftuar nga e gjithë Kosova.