Grupe civilësh të armatosur, në SHBA, i kanë interpretuar komentet e presidentit amerikan kundër karvanit të emigrantëve si thirrje për t’i dalë zot vendit nga pushtimi i të huajve.
Ata kanë nisur të furnizohen me municione, tenda, dronë për pamje nga lart, dhe po thurin plane që të krijojnë karvanin e tyre si kundërpërgjigje ndaj emigrantëve, njofton Washington Post.
Trump tha se mes tyre po udhëtojnë edhe njerëz të panjohur nga Lindja e Mesme, luftëtarë të ashpër dhe kriminelë shumë të rrezikshëm, të fshehur mes grave e fëmijëve.
Shannon McGauley, nga Dallasi i Teksasit, president i një grupi civilësh të quajtur “Texas Minuteman”, tha se grupi i tyre ka vërtetuar më parë se janë të vlefshëm për ta mbrojtur kufirin, dhe se do ta vërtetojnë prapë.
“Nuk them dot me saktësi se sa veta do të jemi, por telefoni im nuk ka pushuar. Janë shumë bashkëshortë e njerëz që telefonojnë edhe nga shtete të largëta, si Oregoni e Indiana, e madje edhe nga Kanadaja, të cilët kanë ofruar të bashkohen me ne”, thotë ai.
Mundësia e grupeve të armatosura civile përkrah ushtrisë në kufi ka ngjallur alarm midis ushtarakëve, dhe jo vetëm. Ata mendojnë se mund të shfaqen rreth 200 persona të tillë.
Mbërritja e karvanit ka shqetësuar shumë fermerë në zonën e kufirit. Ata e dinë që emigrantët që kalojnë kufirin, herë pas here futen nëpër kasollat e fermave të tyre, pa leje. Numri i madh i karvanit i bën që të jenë edhe më të shqetësuar. Por askush nuk do civilë të armatosur duke marrë përsipër diçka që duhet ta bëjnë autoritetet. /tch/