Ministrit të Punëve të Jashtme (MPJ) të Greqisë, Nikos Kotzias, i kërkohet që të ndërpresë të gjitha bisedimet për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Kjo kërkesë vjen nga Lidhjet greke Gjithmaqedonase në Botë, që ishin pjesë e protestës në Selanik dhe Athinë, me moton “Në mbrojtje të emrit Maqedonia”.
Ata konsiderojnë se me këto bisedime nënçmohet dinjiteti i grekëve në tërë botën, prandaj bisedimet duhet të marrin fund, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tyre, Kotzias duhet ta merr parasysh vendimin e takimit të liderëve të vitit 1992, dhe mospajtimin e popullit grek që emri “Maqedonia” të mos ekzistojë në emrin e “vendit fqinj qendror-ballkanik”.
Letra është nënshkruar nga organizata greke në SHBA, Australi, Kanadë, Afrikë dhe Greqi./Telegrafi