Sikur sot, një vit më parë u nda nga kjo botë personaliteti i kohës tonë, njeriu i punës, njeriu i ideve, vizionari i perspektivës shoqërore-politike në këto hapësira, themeltari i shumë proceseve në Komunën e Bogovinës, u nda nga kjo jetë njeriu që në krye të kësaj komune qëndroi me të drejtë dhe me shumë meritë 12 vite të plota!
Ky njeri me zemër të madhe, në punën e tij të konceptuar e të ngritur shprehte qenien e tij, zemrën e tij; në platformën e tij të vëmendshme kishte një shqetësim, kishte një hall dhe ai ishte suksesi, ngritja institucionale e Komunës së Bogovinës, ngritja dhe zhvillimi i fshatrave përreth, avansimi dhe modernizimi i shkollës shqipe, i shoqërisë shqiptare gjithandej ku flitet shqip!
Hazbi Idrizi është rrugëtim i gjatë, është rrugëtim i shumë projekteve gjithandej Komunës së Bogovinës, duke filluar nga Bogovina, vendlindja e tij, pastaj Kamjani, Piroku, për të kaluar në Pallçisht, Novakë, Sellcë, Novosellë e Rakovec, pa harruar kurrë Sedllarcën, Zherovjanin e Siniçanin!
Në bisedat e tij nuk kishte gjë tjetër pos punës, projekteve, rezultateve, të arriturave dhe pretendimet për të bërë sa më shumë për fshatin shqiptar, për këto vende të bukura natyrore, të cilat shpesh me vrull e shpirtë i quante, Shqipni!
“Është fatkeqësi e jona, është fatkeqësi shqiptare se të gjithë ne jemi të rrethuar nga personazhë famëkeq të kombit tonë; jemi në kohë krizash nga të cilat duhet të jemi sa më të kujdesshëm dhe sa më të vëmendshëm…Zoti na ndihmoftë”, tha mes tjerash në këtë intervistë që sot po e bëj publike para atyre që do kenë rastin ti lexojnë këto rreshta!/Tetova 1