Policia financiare heton rastin “Kazandoll”

“Para fakteve edhe perënditë heshtin”. Kështu u përgjigj zëvendëskryeministri Koço Angjushev kur e pyetëm nëse do ti kërkojë falje publike kompanisë Sardiç, të cilën e akuzoi se e ka ndërtuar minierën Kazandoll me para të dyshimta. Angjushev thotë se dokumentet tani më janë dërguar në institucionet kompetente.

“Unë kam folur me argumente, para argumenteve edhe perënditë heshtin, nëse ka argumente të tjera unë u bëj thirrje që t’i publikojnë. Dokumentet janë në institucionet e Maqedonisë, gjenden në sistemin bankar, përkatësisht janë atje ku duhet të jenë”, tha Koço Angjushev, zëvëndës kryeministër për çështje Ekonomike.

Ndërsa nga qeveria thonë se dokumentet e dyshimta i kanë dorëzuar deri tek policia financiare. Drejtori i këtij institucioni Arafat Muharemi për TV21 vërteton se për rastin “Kazandoll” është hapur procedurë parahetimore në të cilën do të kontrollohen të hollat e investuara nga investitori ukrainas, i cili veç më e ka humbur biznesin në Maqedoni.

Debati Angjushev – Sardiç filloi pas deklaratave të zëvendëskryeministrit në emisionin Klik Plus ku ai tha se investitori ukrainas në Maqedoni ka punuar me mjete të dyshimta financiare. Angjushev pohon se asnjë euro nuk është futur nga Ukraina në Maqedoni për minierën Kazandoll, ndërsa aty janë investuar 18 milion euro, pa u ditur se kush është përgjegjës dhe pronar i atyre të hollave. Ndërsa nga grupacioni “Kopper Investment” përmes një kumtese informuan se deklarata për procedurën e filluar për mënyrën e financimit të projektit për minierën “Kazandoll” e dhënë nga Angjushev është shqetësuese. Nga kompania thonë se të gjithë dokumentet i janë dhënë qeverisë në mënyrë transparente dhe në pajtim me ligjin. Përndryshe më 27 mars, Qeveria solli vendim të njëanshëm për prishjen e marrëveshjes me koncensionerin “Sardiç MC” për eksploatimin e arit, argjendit dhe bakrit në Kazandoll. Kryeministri Zoran Zaev shtoi se koncesioneri nuk i ka plotësuar kërkesat ligjore. Por, kompania i hedh poshtë akuzat dhe pohon se punon në mënyrë ligjore. Për procedurën thonë se do të kërkojnë arbitrazh, ndërsa si anë e dëmtuar “Sardiç“ paralajmëron se do të kërkojë 380 milion euro dëmshpërblim nga shteti. Kundër hapjes së minierës u organizuan edhe disa protesta nga ana e qytetarëve të pjesës jugore të vendit.