Keqpërdorime dhe gjuhë urrejtjeje në internet


Keqpërdorime dhe gjuhë urrejtjeje në internet

Keqpërdorime dhe gjuhë urrejtjeje në internet
Publikuar: 15:10, 4 Maj, 2018
Interneti dhe rrjetet sociale vazhdojnë të përdoren në masë të madhe nga njerëzit. Edhe pse sipas hulumtimeve të fundit rezulton që televizioni mban primatin e interesit të publikut edhe mediat online janë mjaft dominante duke zënë vendin e dytë me 67% të popullatës. Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me Odën Amerikane të avokatëve kanë organizuar panel diskutimi me temën “Liria e internetit.” Pikat kryesore të diskutimit ishin lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes, keqpërdorimet në internet si dhe korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtës autoriale.

Të gjithë e përdorim internetin dhe të gjithë e kemi të drejtën e shprehjes si dhe mbrojtjen e privatësisë sonë si në shpalljen e të dhënave tona personale si dhe mbrojtjen nga përgjimi joligjor ose keqpërdorime tjera. Një nga keqpërdorimet që mbulohen nga ligjet tona është mbrojtja nga gjuha e urrejtjes në internet. Në Maqedoni ka nevojë të madhe që të zhvillohet mendimi kritik veçanërisht veprimtaria mediatike – tha Filip Stojanovski, Metamorfozis.

Rregullativa ligjore nuk ka qëllim që të kufizoj përdorimin e internetit por nga ana tjetër duhet të respektohen të drejtat autoriale sepse edhe Maqedonia ka nënshkruar shumë konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare, po ashtu ka edhe rregullativën e saj që e rregullon mënyrën e përdorimit të drejtës autoriale. Hulumtimet tregojnë se ende nuk ka vetëdije të duhur tek bartësit e së drejtës autoriale për ndjekjen e përdorimit të veprave të tyre në internet, ka shumë pak raste gjyqësore në këtë sferë – u shpreh Valentin Pepelugoski, avokat i të drejtës autoriale./Alsat-M