Nga ora shtatë e mëngjesit janë hapur të gjitha vendvotimet në Maqedoni për referendumin për emrin. Deri në 19.00 do të jenë të hapura 3.480 qendra votimi në 80 komunat e vendit, ku qytetarë do të deklarohen rreth pyetjes së referendumit: “A jeni për hyrjen e vendit në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë?”
Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, të regjistruar në Listën Zgjedhore. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka akredituar 11.907 vëzhgues vendor, 493 vëzhgues dhe 194 përkthyes të huaj.
Përveç vëzhguesve dhe gazetarëve vendor, KSHZ njoftoi se ka akredituar edhe 83 gazetarë nga 32 media ndërkombëtare, ndërsa shumë te tjerë janë refuzuar pasi kanë aplikuar jashtë afatit ligjor.
Nga organizatat vendore, referendumin do ta vëzhgojnë Shoqata për iniciativa dhe politika qytetare, Lidhja e Shoqatave të qytetarëve “Platforma maqedonase kundër varfërisë”, OJQ MOST, Qendra për liri CIVIL, Lenka, Shoqata për afirmimin e vlerave humane dhe integrim të rinisë Mak Sonce, Shoqata Qendra nacionale rome, Lëvizja evropiane për Qytetin e Shkupit, Shoqata Inkluziv dhe Instituti për strategji ekonomike dhe marrëdhënie ndërkombëtare Ohër.
Për të qenë i suksesshëm referendumi dhe për tu arritur cenzusi duhet të dalin mbi 50 për qind apo 903.169 votues, duke rrethuar “PËR” së paku 451.586 veta.
Por ky referendum është konsultues dhe se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë për miratim në Kuvend.(INA)