Lidhja Demokratike e Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë masovikisht në referendumin për emrin dhe të votojnë pro marrëveshjes historike me Greqinë.
Duke përkujtuar se Maqedonia, është para një momenti shumë të rëndësishëm dhe historik për të ardhmen e popujve të saj, LDK iu bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që këtë moment historik ta përdorin në interesin e tyre dhe në të mirë të së ardhmes evropiane të shtetit të tyre.
“Të dielën qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit të tyre, për prosperitetin dhe për sigurinë e rajonit tonë”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, të dielën Maqedonia voton në referendumin për emrin e ri të vendit, sipas marrëveshjes me Greqinë, si dhe për hyrjen e vendit në NATO.
Maqedonia dhe Greqia kanë arritur marrëveshje që emri i ri të jetë Maqedonia e Veriut, pasi Athina zyrtare nuk pranon emrin aktual, për shkak se në territorin e saj ndodhet një rajon me të njëjtin emër./Pacensure