Ministria e Drejtësisë nuk ka kritere se si do tu bëhet përllogaritja e dëmshpërblimit real për gjashtë ish të burgosurit të pafajshëm për rastin “Sopoti”. Ky ishte qëndrimi i sotshëm i Ministres Deskoska, e cila tha se e drejta e dëmshpërblimit atyre nuk ju refuzohet, por për koston e saktë do të vlerësohet përmes procedurës gjyqësore. Në këtë rast, kompetente është Gjykata civile për të përcaktuar edhe dëmin jo material.
“Problemi është se në Ministri nuk janë caktuar kritere, në bazë të të cilave do të vlerësohet. Kështu që gjykata është organi kompetent që do të vlerësoj edhe nivelin e vuajtjes shpirtërore, sepse ai është shpagim i dëmit jo material, që koston e vlerëson gjykata. Javën e kaluar mbajtëm mbledhje ku i diskutuam vendimet e ngjashme se si zbatohen në Gjykatën e Strasburgut”, u shpreh Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Nga partia opozitare e VMRO DPMNE-së, thonë se pushteti i LSDM-së në vitin 2003 e inicio aksionin për arrestimin e të dyshuarve në fshatin Sopot dhe tani këto po i mbulon me gënjeshtra të reja. Zëdhënës i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski tha se sistemi i drejtësisë është vënë nën kontroll të plotë të kryeministrit aktual.
“Për fat të keq, popullata shqiptare në Maqedoni po vërtetohet se Zoran Zaev, gënjeshtrat e tij që i ka thënë si premtime te shqiptarët, tani i mbulon me rrena të reja, me qëllimin e vetëm që të qëndroj në pushtet. Për rastin e Sopotit mund të them se i gjithë aksioni është realizuar në kohen kur ishte në pushtet LSDM, atëherë policia drejtohej nga kjo parti dhe e ka zbatuar aksionin dhe i ka paditur të dyshuarit”, tha Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
Pas 3 muajsh, në vendimin e Ministrisë së drejtësisë thuhet se të dëmtuarit Sulejman Sulejmani, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani, Zenel Klaiqi dhe Shaqir Sulejmani të drejtën për marrjen e dëmshpërblimit duhet ta realizojnë përmes Gjykatës Civile. Nga pala mbrojtëse e të dëmtuarve dje u tha se dëmshpërblimin në një vlerë të përgjithshme prej 144 milion denarëve do ta kërkojnë përmes procedurës gjyqësore, por kjo sipas avokatit Vullnet Paçuku, do ta zgjasë procesin së paku 3 vite, duke u kushtuar për shpenzime burokratike nga 5 mijë euro secilit prej ish të burgosurve.
Përgatiti: Adnan Qaili