70 studentë të kategorive sociale kanë fituar bursa nga Fondacioni LEORON, organizatë bëmirëse me qendër në Shkup – pjesë e institutit LEORON nga Dubai.
Bursat u ndanë më 21 Shtator në hapësirat e Institutit, ku studentët firmosën kontratat për bursat 1-vjeçare.
Nga Fondacioni theksojnë se përpjekjet shkojnë në drejtim të zbutjes së dallimeve në edukim, duke ofruar kështu mundësi të barabarta për edukim të lartë mes qytetarëve.
“Fondacioni LEORON ka për mision promovimin e zhvillimit akademik në komunitetet ku operon, dhe jam e sigurtë që të gjithë ju do të kontribuoni drejt këtij misioni duke i kthyer shoqërisë sonë dhe komunitetit në të cilin jetoni”, theksoi Valjeta Jusufi, drejtor menaxhues në Institutin LEORON.
Në LEORON kanë arritur gjithsej 700 aplikime për bursa. Procesit të përzgjedhjes së 70 finalistëve i ka paraprirë një seleksionim në bazë të gjendjes sociale dhe ekonomike, ndërsa rol të rëndësishëm ka luajtur edhe suksesi akademik i aplikuesve.
“Fondacioni ynë pranoi më shumë se 700 aplikacioni për bursa, ndërsa procesi i vendimmarjes ishte shumë sfidues për ekipin tonë. Përzgjedhja juaj u vendos pas shqyrtimit të disa faktorëve, ndër të cilët, sfondi jua i mëparshëm shkencor luajti një rol vendimtar”, deklaroi Jusufi.
Ndryshe, nga Fondacioni bëjnë të ditur se bursat janë vazhdim i një sërë aktivitetesh bëmirëse të cilat LEORON i organizon në më tepër vende, përfshirë këtu edhe Maqedoninë.