VMRO: Deklaratat e deputetëve janë keqinterpretuar


VMRO-DPMNE-ja mohon se një pjesë e deputetëve janë ndarë nga qëndrimi i kryetarit të partisë dhe veprojnë me kryeneçësi ndaj marrëveshjes dhe referendumit. Nga partia e Hristian Mickoskit theksojnë se qëndrimi i deputetëve buron nga takimet e përditshme me qytetarët dhe se përfaqësuesit e opozitës nuk kanë bërë thirrje për bojkot ose votim në referendum por thjeshtë janë prononcuar për qëndrimin e tyre ndaj ndryshimeve kushtetuese. VMRO-ja pretendon se Qeveria dhe kryeministri Zaev po fshehin amendamentet për ndryshimet kushtetuese nga qytetarët.

“Ajo që qytetarët e duan nga kjo Qeveri është që të prononcohet mbi amendamentet që do të ndryshojnë emrin kushtetues të Maqedonisë. Qeveria bën thirrje të votojnë, por nuk shpjegon pasojat që ka marrëveshja me fqinj jugor. Zaev nuk tregon se për çfarë është marrë vesh dhe nuk tregon se çfarë do të ndodhë me Kushtetutën nëse nuk arrihet dalja në referendum. Në tashmë disa herë kemi thënë qëndrimin tonë ndaj marrëveshjes e cila është kapitulluese dhe për këtë arsye i kemi dhënë mundësi qytetarëve që të vetëvendosin nëse duan të dalin ose jo më 30 shtator dhe të votojnë në referendum”, tha Silvana Angellovska, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska theksoi se qasja e VMRO-DPMNE-së do të ishte e njëjta edhe sikur para referendumit të propozoheshin ndryshimet kushtetuese.

“Paramendoni të ndodhte e kundërta. Të fillonim që tani me përgatitjen e amendamenteve, para se qytetarët të thoshin qëndrimin e tyre. Të njëjtit njerëz që sot po na kritikojnë, do të thoshin se Qeveria po shpejton para se t’i dëgjojë qytetarët. Neve hapat tonë qartë i kemi deklaruar. Shkojmë fillimisht në referendum, presim qytetarët të thonë qëndrimin e tyre për anëtarësim në NATO dhe BE dhe marrëveshjen dhe varësisht nga vendimi në referendum, veprojmë më tej. Shihet qartë qëndrimi ndaj marrëveshjes dhe zgjidhjes së këtij problemi disa dekadash i ndanë vetëm opozitën tonë dhe atë greke”, u shpreh Radmilla Shekerinska, nënkryetare e LSDM-së.

Deputetë të caktuar të VMRO-DPMNE-së, si Trajko Veljanovski dhe Vllatko Gjorçev u prononcuan publikisht ndaj ndryshimeve kushtetuese. Madje ish kreu i Kuvendit, Veljanovski është shprehur se nuk do të dalë as në votim më 30 shtator. Deputetë e VMRO-DPMNE-së nuk janë prononcuar zyrtarisht në Kuvend për të marrë fonde për fushatë, ndërsa subjekti u bëri thirrje qytetarëve që më 30 shator të veprojnë sipas bindjeve të tyre./PC