Margaritis Schinas: Marrëveshja e Prespës është e rëndësishme për rajonin

“Marrëveshja e Prespës midis Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë është e rëndësishme për tërë rajonin dhe paraqet sukses edhe për presidencën bullgare”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Ai thotë se pas nënshkrimit të marrëveshjes, ecja përpara e procesit varet nga parlamentet e të dy vendeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Është i rëndësishëm fakti se pas kaq vitesh kemi marrëveshje. Tani varet nga njerëzit dhe parlamentet e të dy vendeve që të lëvizin këtë çështje përpara. Konsideroj se që të ndodhë kjo e rëndësishme është që ne të mos japim sinjale të gabuara. Mendoj se ka konsensus të gjerë si në nivelin evropian, ashtu edhe në atë botëror që kjo çështje është e rëndësishme për zhvillimin e rajonit”, tha zëdhënësi i KE-së Margaritis Schinas në një deklaratë të dhënë për “Radion Kombëtare Bullgare”./Telegrafi/