Një moment historik si zgjim i dhimbshëm


Fjalimi i Aleksandar Vuçiqit në Kosovë, asht nji arsenal i trashëgumë prej Sllobodan Milosheviqit, në thelbin e të cilit «niko ne sme da vas bije» asht ashti që i gjuhet popullit sërb.

Sikur atëherë prej Milosheviqit edhe sot prej Vuçiqit, ky asht s’ka i kujt me konë ndryshe, pos i shqiptarit të urryem me shekuj.

Mirë, atëkohë ky shqiptar «i rrezikshëm» ishte i dobët dhe i varfun; i rrahun, i përdhunumë, i robnumë, i shkelun, i vogël, i përndjekun, i panjoftun, i vetëm, për arsye që i dijmë.

Po sot? Atëherë patëm arsye të shëndosha me pasë frikë, por ishim ma të fortë në dashninë tonë për vendin, dhe kjo na mjaftoj frikën me shndrru në durim e shpresë; rezistencë e durim; protestë, sakrificë, solidaritet. E sot, cila asht arsyeja jonë? Sot s’na ka mbetë kurrgjo, përveç marres.

Nga Ardiana Shala Prishtina
Shum njerëz e pvetën Willy Brandt-in për gjunjëzimin e tij në Varshavë në vitin 1970. Në lidhje me këtë ai në memoaret e tij shënoi: «Nën peshën e historisë së vonshme, bana atë çka njerëzit bajnë kur fjalët nuk mjaftojnë ma; kështu i përkujtova miliona njerëz të vramë. Por mendova edhe në atë që, fanatizmi dhe shtypja e të drejtave të njeriut – përkundër Auschwitz-it – nuk kishin marrë fund.»

Këtu, në realizimin e kuptimit të këtij gjunjëzimi, gjen nji kuptim shum ma të thellë historia tragjike e popujve të Ballkanit nëpër shekuj (e krejt botës për aq sa vlen, por të ndalemi te Ballkani); këtu gjen kuptim edhe fillimi i luftës të fundit, por veçanërisht përbuzja e shkatërrimi që na u ba pas luftës: sepse, udhëheqësve ballkanas nuk u mungunë fjalët asnjiherë.

Arma e parë ishte: fjala. Me të u kontaminu mendja e shpirti i njeriut me shekuj. Me të u shtru terreni për gjakderdhje. Me të u legjitimu çdo krim i bamë, e çdo krim që tek kishte me u ba. Krerëve të politikës sërbe atëherë e sot, sikur krerëve të politikës kosovare-shqiptare sot, fjalët iu mjaftunë. Me fjalë nisën luftat. Me fjalë nisën pasluftat (luftë tjetër kjo: në zhargonin popullor e njohim si luftë për pushtet) dhe në këtë pikë as atje, as këtu, nuk pati dallime të vlefshme mes pozitës e opozitës politike. Kundërshtimet ishin ma shum nji jehonë e kapitullimit me kusht, nën marrëveshje të mshefta për me nda biznese bashkë. Për njizet vjet, asnji ide e re. Fjalëpak kishim disa njerëz nëpër histori, edhe na e edhe ata, por nuk i ndëgjumë. U venitën në mesin tonë.

Ata na paralajmrunë për nji rrezik të madh që na dështumë, në dam tonin, me e pa: rrezikun prej njeriut të padijtun që mbi dhimbjen e të tjerëve bahet i madh në kohë të luftës, dhe jo për me e pshtu atdheun a njeriun, por për me e fitu privilegjin e autoritetit moral mbi popullin, me të cilën justifikon krejt që ka ba në të kalumën, e krejt çka vjen masanej. E masanej vjen krejt çka t’i bjen në mend me ardhë. Privilegji i tij autoritar ndjekë moralin: për me u ba un mbret, e mbret mu m’takon me u ba se kam luftu (për atdheun; nënkupto: për pushtet) ti duhesh me u ba i nënshtrumë. Disa me këtë mentalitet hynë në luftë.

Disa me këtë mentalitet shpallin lufta ku i dërgojnë të tjerët me u vra, por prej tyne dalin ata vetë «herojt» ma të mëdhenj dhe vazhdojnë me u lavdu prej «demokratëve të ri» edhe kur krimet e tyne moti kanë dalë mbi tokë. Disa formojnë këtë mentalitet tek kur gjinden në kaosin e masluftës, shohin mundësi në atë mjegull. Aty ku të tjerët shohin dhimbje e gërmadha mbi të cilat zorshëm lypin nji shpresë me rindërtu jetën, ata shohin nji mundësi me u ba të randësishëm në nji moment historie të njerëzimit, të padijtun qysh janë, pa e kuptu kurrë sa naltë e kanë vnu me shekuj barometrin e randësisë mendimtarë të ndryshëm të botës. Pra, sa patetikë janë. Dhe ky privilegj e ka çmimin e naltë. Llogarinë ia pagunë, kush tjetër, pos aj që i nënshtrohet. Na u nënshtrumë.

Problemi me «personalitetet» tona politike asht që i bajmë kult. Prej aty, as ata që e dashtën, as ata që e kundërshtunë nuk e nijtën ma çka kishte me thanë «personi». Mjegull krenarish të kota. Dhe ata e dijnë fuqinë e mjegullës, e kult-ndërtimin e ushqejnë me shum taktikë, sepse kanë nevojë na mos me e kuptu çka po thojnë, kur s’thojnë kurrgjo, dhe mos me i dyshu, kur t’menojna që thanë diçka.

Mendësia që i orienton në gjithësinë e kufizume të inteligjencës së tyne, asht: un e meritoj me konë mbret. Qëllimi, kuptohet: sundimi. Secili e don. Dhe kjo asht arsyeja e vetme pse mes vete bahen copë, me argumentin e fundit të parin në gojë: lëshoma karrigën se un di ma mirë. Por ajo që «dihet ma mirë» nuk sjellë asnji kuptim të ri, jo se jo naj ide revolucionare, e në rastin ma të suksesshëm na paraqitet veç si nji formulim tjetër i të njajtës mosdije. Keni edhe pak durim me mu ju lutem, që ta sqarojmë nji keqkuptim që po qarkullon poshtë e naltë: «Vuçiqi erdh në Kosovë dhe na provokoi.»

Nuk asht provokim ardhja e Vuçiqit në Kosovë, mendoj un, ani pse erdh i armatosun me fjalë. Së paku jo për neve. Ma shum se popullin sërb, aj nuk e nënçmoi askënd me ardhjen e tij patetike në Kosovë tue e shndrru çka kish mujtë me konë nji moment historik ku nisë paqja, në nji moment historik ku vazhdon përralla e vjetër. Nji moment që s’ka me e mbajtë në mend kurrkush.

Provokim asht dhanja e lejës për nji vizitë të tillë, nji njeriu që përfaqëson në pozitën ma të naltë zyrtare nji shtet i cili nuk të njeh; nji njeriu që përfaqëson nji demokraci të ngritun jo mbi gërmadhat, por mbi themelet e nji regjimi fashist tue qenë vet nji prej trashëgimtarëve kryesorë të atij regjimi; nji njeri që bota e feston si paqe-ndërtues por aj nuk pranon që kishte luftë, luftën e përmend, por çdo njohje e nji lufte ku harrohen viktimat, asht mohim; nji njeriu që nuk ua përmend sërbve të Kosovës natyrisht as vrasjen e të rinjve sërb në kafenenë «Panda» në Pejë nga forcat speciale sërbe (kurban në kazanin e propagandës nacionaliste sërbe, të nji regjimi që Vuçiqi i shërbeu vet, për me e justifiku luftën ndaj «terroristave» shqiptarë); nji njeriu që erdhi me na nënçmu, por u kthy tue e nënçmu veç popullin e vet, pa e kuptu as që kurrgjo nuk na kish nënçmu ma shum se aj me u gjunjëzu para vorreve të viktimave të luftës; pra nji njeriu patetik kah ta këqyrsh. Provokimi neve na vjen prej brenda shpisë. Dhe duket kështu: «Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta».

Jo shum kohë ma parë, kryeministri i Republikës së Kosovës nënçmoi me mijëra viktima të Kosovës, tue u thanë që kanë ikë në Bllacë, krejt këtë për me e përforcu autoritetin e tij moral, të fitumë si privilegj në kurriz të luftës për atdhe. Kryeministri e pa të lëkundshëm këtë autoritet moral përballë «skandalit» të frymjes së listave të veteranëve dhe largimit të prokurorit që ishte kërcnu se i ka hetu ato. E pa të rrezikumë veten, sepse aj e din që ky privilegj që gëzon aj sot, nuk asht i vetkuptueshëm edhe nëse ke luftu (ka plot të tillë që emni s’ju dihet, bile as në lista të veteranëve s’kanë mujtë me hy) dhe nuk fitohet në kurriz të atyne që kanë luftu për me mbrojtë atdheun pa i lypë borxh atdheut privilegje postesh, sepse me mbrojtë atdheun për ta ishte privilegj boll, por në kurriz të atyne që privilegjin e autoritetit moral e kuptojnë sot njajtë si aj: si shansë për nji status; si shansë me ba pushime në St. Moritz; si shansë për nji moment historik me u ba dikushi; si shansë për pushtet me e ngi patetizmin e tyne të vlerës mbi veten si diçka e madhe, por që edhe kur mrrijnë majat «e nalta», nuk arrijnë me u rritë mbi komplekset e tyne gjigande.

Dhe qe tash, sikur nuk merr fund kurrë kjo dramë, kryetari çohet dhe nënçmon viktimat tue e ftu Vuqiçin në Kosovë. Po, po, ftesë ishte. Ani pse aj vetë qilloi në Shqipni. Dhe që u ftu asht provokim. Jo, që erdhi. Dhe ftoi, kryetarin e nji shteti i cili nuk ta njeh shtetin. Pastaj, sikur kjo nuk asht boll, kryetari i Republikës së Kosovës çohet dhe nënçmon viktimat e i shet moral banorëve të Drenicës se qysh po u dashka me u ngritë mbi plagët e luftës e mos me vnu postblloqe për hatër të paqes, dhe me e lonë këtë zotninë me ardhë në Kosovë, me ardhë në emën të paqes, por jo për me u gjunjëzu mbi vorre të viktimave të luftës, qysh u përkul kryetari Thaçi vetë dikur para vorreve të viktimave civile sërbe në Grackë, ku pllaka memoriale quente shqiptarët terrorista, por për me u krenu që lufta nuk asht humbë, që rruga e ardhmënisë së Kosovës hala kalon kah oborret shoveniste të Beogradit zyrtar. Sidoqoftë, aq sa vlejti përkulja e Thaçit mbi vorret e civilistëve sërb, aq kishte me vlejtë nji e Vuçiqit mbi vorret e civilistëve shqiptarë të vramë në luftë. Pra, kurrgjo. I falemnerës Vuçiqit që nuk u gjunjëzu. Sepse, të tillët gjunjëzohen, jo për me shprehë pendim e respekt, por për me mbetë në karrigë. Pra, kanë mendësinë e njajtë sikur të Milosheviqit. Mendësi manipulimi. E me mashtrime nuk ndërtohet paqja, kusht për të cilën asht që pajtimi me ardhë si reflektim e pendim që randojnë ndërgjegjjen jo veç të nji njeriu, por ma së pakti, të nji gjenerate të tanë.

Rreth njizetmijë gra të përdhunume. Rreth dhetë mijë njerëz të vramë, fëmijë të masakrumë, trauma kurrë të pafoluna, mbi njëmijë e gjashtëqind njerëz të zhdukun, e ky, njeriu që «shpëtoi atdheun»; ky «burrështetasi modern», ky që themeloi «komisionin e pajtimit dhe të vërtetës», deklaron publikisht habinë e tij qysh plagët qenkan hala të freskëta dhe i ban thirrje popullit, në Facebook, me u ngritë mbi plagët dhe dhimbjen. Dhe e definon si «dije» këtë «ngritje». Nëse kjo s’na provokon?!

Sa plagë i more ti, du me e pvetë, që guxon me folë kaq lehtë për plagët e dikujt tjetër? Tue e dijtë që në Kosovë nuk e ka ftu nji Willy Brandt që bani histori, por nji Vuqiç, shërbëtor të Millosheviqit, që don me ba nji vizitë historike për me ofendu historinë e dhimbshme të shum njerëzve, qysh nuk i vjen marre me i kërku «ngritje mbi plagë» nji populli që iu dashtën njizet vjet me fillu me e përmend, hala fshehtas e me fëtyrë anonime, që rreth njizetmijë gra u përdhununë në luftë?

Nashta këtij kryetari palaço, i duhet vizita e nji Vuqiçi për me i ra në mend plaga e Drenicës, vendlindjes së tij? Por në dallim prej tij, shum njerëz (jo mjaftueshëm, sidoqoftë) e mbajnë atë plagë në mendje çdo ditë, sepse ky popull kuptimin e vet historik nuk e nxjerrë prej barcoletave për Drenicën; dhe e din që edhe pse kryetari në të qenunit drenicak pa nji mundësi me shfrytëzu dobësinë e popullit për këtë plagë të madhe në vetvete që përfaqëson Drenica, për me ba çka t’i teket me Kosovën, Drenica nuk asht e tij, aq sa nuk asht Dukagjini i kryeministrit, për aq sa vlenë. Këta i dojnë në gojë këto emna veç kur ju duhen votat. Nuk ju intereson këtyne plaga e kurrëkujt. Kush e di sa të tilla ju kanë shkaktu vetë njerëzve. E sa po na shkaktojnë prej që kanë ardhë në pushtet, shpresoj që jemi tue e pa ma, përtej çdo dyshimi.

Fjalimi i Vuçiqit në Kosovë, asht nji arsenal i trashëgumë prej Milosheviqit, në thelbin e të cilit «niko ne sme da vas bije» asht ashti që i gjuhet popullit sërb. Sikur atëherë prej Milosheviqit edhe sot prej Vuçiqit, ky asht s’ka i kujt me konë ndryshe, pos i shqiptarit të urryem me shekuj. Mirë, atëkohë ky shqiptar «i rrezikshëm» ishte i dobët dhe i varfun; i rrahun, i përdhunumë, i robnumë, i shkelun, i vogël, i përndjekun, i panjoftun, i vetëm, për arsye që i dijmë. Po sot? Atëherë patëm arsye të shëndosha me pasë frikë, por ishim ma të fortë në dashninë tonë për vendin, dhe kjo na mjaftoj frikën me shndrru në durim e shpresë; rezistencë e durim; protestë, sakrificë, solidaritet (edhe tradhti, por në atë kohë edhe ajo kishte ma shum kuptim). E sot, cila asht arsyeja jonë? Sot s’na ka mbetë kurrgjo, përveç marres. Por kjo nuk asht marre, për shkak të së cilës gjunjëzohet njeri para nji populli për me kërku falje për krimet që janë ba edhe në emën të tij, sikur që bani Brandt në Poloni, asht marre që ka me i gjunjëzu gjeneratat e ardhshme për shkak që nji popull nuk mbrojti viktimat (t’vetat e t’tjetrit) prej harresës.

Dhe jo për faj të Vuçiqit, se që aj s’asht nji Willy Brandt, s’do mend që ka dyshu najkush najherë. Barrën e idiotizmit të tij ka me e mbajtë populli sërb, por, për faj të klasës tonë politike të cilën e kemi prodhu na vet (pozitë e «opozitë»: opozita reale nuk ekziston) dhe e cila vunë e ka vujtë veç për autoritet moral me qëllimin përmes saj me e ngritë veten mbi këtë popull, e me shiju lirinë tue e kuptu si të drejtë ekskluzive me ba çka të don: P.sh. me uzurpu banesa të sërbve që ikën ose u përzunë, e të shqiptarëve që s’kanë mrri mjaft shpejtë me i mledhë plaqkat e mishin e derdhun rrugës për me u kthy prej kampeve të refugjatëve; me uzurpu pronën publike; me shkatrru e vjedhë krejt çka dikur, ke qysh ke, ka funksionu brenda kushteve; me fry listat e veteranëve; me anëtarësu uniforma në parti (edhe të tilla me njolla krimesh, edhe të tilla të bleme në pazare mas lufte); me diplomu pa prekë libër me dorë; me shkrujtë libra pa lexu kurrë libër; me emnu kriminelë në poste; me ba krime të reja për me ikë prej ndëshkimit për të vjetrat; me kërcnu kundërshtarë, e dëshmitarë, e gazetarë, e prokurorë, e gra; me u marrë vesh mbrapa skenave që dallimet që shfaqin publikisht nuk duhet të prishin bizneset e tyne të përbashkëta; me hangër darka të shtrejta; me maru përmendore; me folë shum, e me folë, e me folë, e me folë… gjithçka për me mrri në pushtet dhe krejt kjo ata pa u ngi kurrë; e edhe kur kjo ka nënkuptu me ia shti gishtat në plagë popullit, e me gërry e me gërry e me gërry; popullit i cili natyrisht i ka hala plagët e luftës të freskëta, sepse për njizet vjet mbi ato plagë u gjujtë shum helm, e asnji ilaç, ndërkohë që kush e di sa Batajnica mbajnë hala eshnat e bijve tanë të mshefuna në tokën sërbe, mu aty mes jetave të nji qytetnimi që u ba kishe nuk dijti, nuk pa, nuk nijti.

Shkrimtari sërb Vladimir Arsenijeviq, në nji artikull të tij me titullin «Our negroes, our enemies» të botumë në vitin 2007 tregon qysh me rastin e zbulimit të kufomave të civilistëve shqiptarë në liqenin artificial Peruçac në lumin Danub disa vite ma parë, nji burrë notojke në ujë prej ku sapo ishin nxjerrë kufomat, i patrazumë nga krejt ajo ngjarje. Kur nji reporter e pvetë a nuk e trazon krejt kjo? Aj burri, tue shkund ujin prej flokëve të laguna, me nji buzëqeshje të përhumbun në mendime, këqyr në kamerë edhe thot: «Me thonë t’vërtetën, un nuk e besoj krejt këtë» – dhe futet i revoltumë prap në ujë. Arsenijeviqi e jep nji sqarim për këtë edhe në vetkuptueshmëninë e nji sjellje të tillë kur nji shoqnije të tanë me dekada i asht shpërla truni prej politikanëve dhe mediave dhe rrenave të pafundme që mas dekadave e bajnë njeriun me e besu edhe rrenën e vet.

Megjithatë, kjo gjendje e mohimit kolektiv të së vërtetës, pavarësisht arsyeve të shpëlamjes të trunit, nuk e zhveshë njeriun prej përgegjësisë intelektuale me e lypë të vërtetën dhe me qenë kritik ndaj politikave të kohës. Dhe shembull për këtë janë gjithë ata njerëz nëpër histori, që nuk lejunë me ua shpërla trunin dhe nuk heshtën e shpesh u rrezikunë e u vranë pse folën. Në kohë të tilla, të tillë janë zakonisht nji numër i vogël, por aq sa janë mjafton me tregu që kur mundet njani po mujka edhe tjetri. Pra, «shpëlamja e trunit», asht bashkëfajësi. Dhe pavarësisht kësaj, shtrohet pytja, kur asht koha e duhun për zgjim nëse jo ma së voni atëherë kur noton i rrethumë me kufoma? Apo zgjimi do të ishte aq i dhimbshëm, saqë njeriu s’ka rrugëdalje veçse me ikë prej tij në mohim, për mos u shemb i tani në bashkëfajësinë e tij? Ndoshta njeriu ka frikë, sepse po e sheh që kurrkush nuk asht aty me ia mledhë copat e kësaj shembjeje e me i ndihmu me ndërtu nji të ardhme që ka mësu prej t’kalumës?

Sidoqoftë, tragjedia e vërtetë për ne, nuk asht fakti që në Beograd nuk mujnë me u gjetë mjaft njerëz të bashkumë që dojnë me e pa të vërtetën që e kanë të varrosun në oborr, barrën kësaj kanë me ia vujtë ata vet ma së shumti, e mu mujnë me mu dhimbtë dhe qaq, por, asht fakti: që në marshin përkujtimor e protestues për personat e zhdukun para nja dhetë ditëve, në Prishtinë nuk mujtën me u gjetë të bashkumë aq njerëz sa kishte emna të njerëzve të pagjetun. Këtu nuk e kam të qartë ma as kush duhet me mu dhimbtë. Vetja? Si çdo herë nji numër i vogël njerëzish, mbanë peshën e dhimbjes të nji populli të tanë. Nji numër që refuzon me u nënshtru. Nji numër, që nuk mjafton.

Provokim asht gjithashtu, që përballë krejt kësaj drame, reagimet e BE-së ndaj vizitës së Vuçiqit në Kosovë, kam përshtypjen, sjellin në pah egon e madhe që nuk i len me e adresu qysh duhet përgjegjësinë historike kundrejt kësaj pjese të Europës. Mendoj, që kjo vjen, për shkak se nuk i kupton përmasat e krimeve, përtej rrezikut që sheh për destabilizim të politikave të veta, sepse me i pasë kuptu do kishte qenë kritikuesi i parë i diskursit zyrtar të Beogradit ndaj luftës e paqes, pajtimeve e të vërtetës. E që reagimet kritike mungojnë, të shtinë me mendu, nashta nuk ishte boll nji Willy Brandt për nji Evropë kaq të madhe, jo se jo për krejt botën?! Ndoshta asht dashtë edhe Holanda, Franca, Italia, Spanja, Britania e Madhe, Suedia, Austria, SHBA, Zvicra, Polonia, Rusia (për me i përmend veç disa) me e nxjerrë nji Willy Brandt? Por nuk e nxorrën.

Llogaritë e hapuna të Europës përballë viktimave të Luftës së Dytë Botnore, mes vete, ajo i mbuloi relativisht shpejtë nën xixat kapitaliste të suksesit ekonomik që ia bani paqen të suksesshme. Dhe meqenëse asht mjaft e fortë mos me pasë nevojë me dijtë ma mirë, e kontrollon sot këtë rajon dhe «paqen e saj» me pare, kërcnime për lëvizje të lirë ose jo, dhe natyrisht krejt kjo me diplomaci, ndërkohë që po fundoset për shkak të kësaj mendësie politike, po njajtë sa na, në bërllogun industrial kimik që për ma pak se tre shekuj, po damton planetin në përmasa që miliona vjetë nuk kanë mrri me e damtu. Por, ligjeratat mbi randësinë e reciklimit të shisheve të pllastikës na shet bashkë me kerret që i prodhon e e ndotin ajrin, në nivele të dhimbshme.

Me të njajtën hipokrizi na e sjellë edhe «modelin e ndërtimit të paqes»: harroni; harroni; harroni! Dhe kështu, ata dikto, na ngo, na ofron nji verzion inferior të paqe-ndërtimit, që bahet po aq shpejtë sa edhe mundet me u rrxu. Se po ndërtohet në temele të brishta, mbi krime të pandëshkume dhe ekonomi përtoke, nën këshillën e ekspertave të paqes që vijnë në Kosovë me u çvirgjëru profesionalisht, natyrisht me punu për rroga të mira në pozita të nalta, prej ku na ju dukemi shum shum të vegjël. Dhe aq shpejtë iu dham të drejtë, saqë ata nuk patën as mundësi me ndërru mendim.

Në fund ama, përgjegjësia asht veç e jona që në mesin tonë viktima asht ajo që detyrohet me u gjunjëzu për me kërku falje që e nxuni nji vorr; që u përdhunu; që u vra; që i mungojnë eshnat; që u dëbu prej shpisë të vet; që heshti; që nuk heshti; që ekzistoi, e u harru. Dhe kështu krejt këtë traumë, kena me ia trashëgu gjeneratave të ardhshme si harresë. E çka ndërtohet mbi harresë, ka me u rrxu herët a vonë në nji moment historik si zgjim i dhimshëm. Por, hajt se s’ka lidhje, deri atëherë kush e di a jena a s’jena. Sot jena gjallë. E fëmija jonë? Uh, i paskemi harru! Si atje, si këtu, të gjithë vujmë antkhin e njajtë të pasigurisë. Por, secili tutet për arsye veç t’veta. Secili harron, për arsye veç t’veta. Mujna me vazhdu gjithë ditën. Por kam vendosë, ky me qenë nji shkrim i përmbajtun.

Kurrkush nuk mundet me na mbrojtë prej vetes. Kurrkush, përveç neve, nuk mundet me i mbrojtë fëmijët tanë prej gabimeve tona. Kurrkush, përveç neve, nuk mundet me e mbrojtë Dukagjinin prej kryeministrit, Drenicën prej kryetarit, e me e mbrojtë krejt Kosovën prej çdo politikani. Tue mos harru qu aj vjen i armatosun me armën ma të rrezikshme që ka shpikë njeriu: fjalën. E prej kësaj arme që ka fuqinë me vra popuj, nuk mundesh me u mbrojtë tue heshtë. Se, po, fjala ka fuqinë me u ba edhe mjet pajtimi e zhvillimi, por për me u ba e tillë, duhet njeriu me pasë aftësinë, s’po thom me dekë, mjafton me u skuqë, për fjalën që e nxjerrë prej gojës. Dhe ky njeri prej qiellit s’ka me pikë. Ose e kena nji ditë mes nesh, ose nuk e kena. E nëse e kena, e dalloni qysh gjunjëzohet aty ku fjalët nuk mjaftojnë. Se, ky di me u tutë prej përgjegjësisë ndaj fjalës. Ky nuk ta jep fjalën në tubime turmash, por e mbanë secilën prej tyne në ndërgjegjje të pastër. Ky njeri, mundet me konë grue. Veç thash, ta sqarojmë edhe këtë, se tutna që shumica kur lexoni «njeri», keni me mendu «burrë».