Të rritësh një fëmijë me probleme serioze shëndeti dhe pa burrë, e veç kësaj edhe pa asnjë mbështetje financiare. Kjo është drama e Sofie Dishës, 60 vjecares nga Memaliaj, e cila po përkujdeset për vajzën e saj 32-vjecare, Klementina Disha.
Banesa si jashtë apo brenda është kontribut i të vëllait i cili nuk e ka lënë pas dore.
Mirëpo për Sofian, drama është kapitull i hapur dhe pa finale. Fatëkeqësia zë fill qysh kur vendosi vellon këtu e 34 vjet të shkuara dhe pas rreth një viti solli në jetë vajzën e vetme, Klementinën, gëzimin e parë. Një fëmijë që lindi me probleme serioze mentale dhe shëndetësore. Nuk mbushi fëmija 2 vjeç dhe Sofia ngelet e ve, pasi i shoqi humbi jetën në galeritë e thella të Minierës së qymyrgurit në Memaliaj.
“Jam pa punë fare, ndihma ekonomike e vajzës dhe pensioni që marr unë, me ato mbijetojmë. Vajza merr ilaçe që kushtojnë 20 mijë lekë. Falë vëllait që më ndihmon arrij ta përballoj situatën. Asnjeri tjetër nuk më ka ndihmuar deri më sot”, shprehet ajo
Jeta u tregua e pamëshirshme me të, aq sa vendosi t”i kushtohet të bijës së sëmurë deri në ditët e sotme. Nga i shoqi përfitoi pensionin 9 mijë lek, ndërsa përfiton pagë grupi për vajzën e sëmurë prej 12 mijë lekësh. Një sasi kjo e pamjaftueshme për të përballuar jetën e përditshme, pasi vetëm trajtimi mjekësor mujor për vajzën, Sofisë i kushton 20 mijë lek, përfshirë ilaçet.
“Ne me këtë varfëri vetëm jetojmë. Unë i bëj apel qeverisë , të paktën të mendojë për këta fëmijë, të vënë dorën në zemër dhe të na ndihmojë ndonjëri”, thotë Sofia.
Deri më sot, nuk ka parë ndonjë ndihmë konkrete nga organet shtetërore, pasi këto të fundit janë mjaftuar me pagesën e kempit të vajzës prej 12 mijë lekësh. Mirëpo siç thotë Sofia, me 1 mijë lekë që i teprojnë në muaj, mund te belje vetem disa ushqime nderkohe qe veshtire te paguaje edhe detyrimet në shtet për energji elektrike, apo dhe ujë.
Pranë i ka qëndruar vetëm i vëllai që i ka mbuluar shpenzimet e shtëpisë me rregullimet brenda saj. Ndërkaq, Sofia ka trokitur tek dyert e shtetit, por ky i fundit deri më sot, e quan të mjaftueshëm trajtimin prej 12 mijë lekësh, madje thotë se familja nuk duhet të kërkojë trajtim social, pasi ka televizor, lavatriçe dhe sallon.