Kabineti i presidentit francez Emmanuel Macron njoftoi sot se nuk ka kurrfarë mistri rreth zhdukjes së pemës së mbjellë në parkun e Shtëpisë së Bardhë, transmeton AP.
Siç thuhet, pema është vendosur në karantinë, sikurse është rasti edhe me bimët tjera ose kafshët e hyra në territorin e SHBA-së.
Dje Reuters kishte shkruar se në vend të pemës së mbjellë nga Donald Trump dhe Emmanuel Macron, shihet një njollë e verdhë bari.
Pema u mboll më 23 prill nga presidenti amerikan dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në SHBA.
Bëhet fjalë për një fidan lisi, dhuratë personale e Macron, e ardhur nga vendi i betejës së pyllit “Belleau”, ku luftuan trupat amerikane në vitin 1928, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në gjestin simbolik, dy presidentët u shoqëruan edhe nga zonjat e para, Melania dhe Brigitte.
Macron kishte nënvizuar rëndësinë e gjestit me një postim në Twitter. “100 vite më parë, ushtarët amerikanë kanë luftuar në Francë, në Belleau, për mbrojtjen e lirisë sonë. Kjo pemë, dhurata ime për Donald Trumpin, do të jetë një kujtesë e përhershme në Shtëpinë e Bardhë për lidhjet që na bashkojnë”, shkruante ai. /kp/