Stoltenberg: Protokolli për pranimin e Maqedonisë në NATO mund të nënshkruhet vitin e ardhshëm

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” thotë se procesi i ratifikimit dhe nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Ai thotë se kjo do të varet nga procesi i finalizimit të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ndërsa shtoi se para ardhjes së fundit në Shkup i është kumtuar se ky proces mund të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Stoltenberg në intervistë ka dërguar mesazh se Shkupi dhe Athina duhet të përmbushin detyrimet e tyre që dalin nga marrëveshja për emrin.

“Nuk ekziston mënyrë tjetër që IRJM-ja të bëhet pjesë e NATO-s, përveç përmes marrëveshjes me Greqinë. Është e rëndësishme që të mos ekzistojë iluzion se mund të thonë “jo” për marrëveshjen dhe “po” për NATO-n”, tha mes tjerash Stoltenberg.

Ai u shpreh i sigurt se edhe Greqi do të përmbush detyrimet e saj nga marrëveshja, ndërsa nuk sheh pengesa që mos e bëjë këtë, pasi sipas tij, Greqia që nga viti 2008 është shprehur pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO./Pacensure