NGA AMERIKA LATINE, ‘AGRONOM’ NË PARCELAT ME KANABIS TË PËRMETIT


Megjithëse sipas qeverisë “lufta me kanabisin është fituar” nuk kanë munguar rastet e kultivimit në parcela me sasi të konsiderueshme të bimës narkotike përgjatë muajve të fundit.

Disa parcela janë zbuluar nga policia dhe asgjësuar në Vlorë, Tepelenë, Pukë, Gramsh, Krujë dhe zona të tjera.

Por rasti më i habitshëm është ai i zbulimit të disa parcelave në Përmet, ku u arrestuan dy persona, njëri shtetas i huaj.

Arturo Morales nga Venezuela u kap pranë parcelave ku punonte si kultivues, profesioni i tij është agronom dhe duket se është kontraktuar sepse e njeh mirë procesin e rritjes së bimës së parapëlqyer nga trafikantët e drogës.

Sipas Top Channel, 30-vjeçari nga Amerika Latine nuk ka pranuar të tregojë pronarët e drogës, madje sipas tij nuk i njihte, por ka pohuar se kishte ardhur në Shqipëri pasi ishte kontaktuar nga disa persona, të cilët në përfundim të punës do ta paguanin me mijëra euro.

Edhe ky rast përfundoi me arrestimin e vetëm 2 punëtoreve.