“Të nderuar qytetarë të Maqedonisë, gjatë këtij viti që lamë pas, që nga dita e parë e marrjes së përgjegjësisë, kemi punuar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe transparencë për të zgjidhur situatat e trashëguara dhe së bashku kemi arritur suksese të rëndësishme. Kemi identifikuar mangësitë dhe menjëherë kemi marrë masa për të rikthyer besimin e qytetarëve. Nuk do të cenohet më dinjiteti i askujt, as i një qytetari të vetëm. Në këtë drejtim, vazhdojmë çdo ditë me përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve dhe proceseve, me qëllim krijimin e zgjidhjeve dhe shërbimeve më të shpejta dhe më efikase për të gjithë qytetarët maqedonas. Prandaj investojmë dhe ndërtojmë me përkushtim një polici që do të jetë moderne, e pajisur, e trajnuar dhe e gatshme për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave. Siguria dhe dinjiteti i qytetarëve janë prioriteti ynë më i rëndësishëm.”
Këtë e tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në urimin e tij për Vitin e Ri.
– Koha e “si deri tani”, kur padrejtësia dhe krimi mbeteshin të pandëshkuar, ka përfunduar, dhe ju siguroj se askush në të ardhmen nuk do të vjedhë popullin maqedonas pa u përgjigjur përpara tij. Besoj se veprat dhe shifrat që kemi arritur flasin vetë për vendosmërinë tonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit që shkatërrojnë shoqërinë dhe dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve. Mesazhi ynë është i qartë. Çdokush që shkel ligjin do të dalë përpara drejtësisë, dhe çdo denar i vjedhur do të kthehet në buxhetin e qytetarëve – shtoi ministri i Punëve të Brendshme.
Në vitin e ri 2025, thotë ai, në prag të shpresave dhe synimeve të reja, sinqerisht dëshiroj që të gjithë së bashku të punojmë me përkushtim për të siguruar paqe, stabilitet dhe prosperitet. Të ndërtojmë një sistem që do të garantojë siguri më të madhe, thekson ministri, drejtësi dhe transparencë, në mënyrë që çdo qytetar të ndihet i vlerësuar dhe i mbrojtur. Dhe ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, të fillojmë të respektojmë dhe të zbatojmë vlerat civilizuese drejt të cilave synojmë, porosit Toshkovski.
– Të vazhdojmë të jemi krenarë për trashëgiminë tonë kulturore dhe historike, kulturën maqedonase, gjuhën maqedonase dhe të gjitha simbolikat e identitetit maqedonas me të cilat prezantohemi para familjes së madhe evropiane dhe para gjithë botës. Vetëm kështu, duke respektuar dhe pranuar të gjitha dallimet tona, do t’u mundësojmë përparim dhe mirëqenie gjeneratave të tashme dhe atyre të ardhshme.
Të dashur qytetarë të Maqedonisë, të dashur maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllehë, boshnjakë, serbë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë sonë, ju uroj që të kaloni bukur festat e fundvitit dhe nga zemra ju dëshiroj paqe, shëndet dhe mirëqenie për ju dhe më të dashurit tuaj. Gëzuar vitin e ri 2025! – tha ministri në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e urimit për Vitin e Ri.