Një i punësuar në Drejtorinë e Policisë Financiare është arrestuar për përfshirje në keqpërdorime të lidhura me rastin “Lotaria e Shtetit”, deklaroi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska, gjatë një seance parlamentare.
Ajo theksoi se personi është ndaluar për keqpërdorim të mjeteve buxhetore, që është pjesë e një hetimi më të gjerë për krim në kompaninë shtetërore “Lotaria e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Drejtori i Drejtorisë për Policinë Financiare, Slobodan Ivanovski, për MIA konfirmoi se hetimi ka treguar lidhjen e një personi nga institucioni me manipulime në Lotari. “Hetimi po zgjerohet dhe nuk do të ketë mbrojtje. Çdokush që është i përfshirë do të japë llogari para ligjit”, deklaroi Ivanovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski gjithashtu konfirmoi se ka marrë informacione të reja gjatë seancës dhe se lista e të arrestuarve po rritet. “Ka persona të rinj të arrestuar, të cilët do të dalin para prokurorit dhe gjykatësit sa më shpejt të jetë e mundur. Rasti është kompleks dhe përfshin detaje të reja për keqpërdorimin e mjeteve buxhetore”, tha Mickoski.
Rasti përfshin edhe ish-funksionarë të lartë, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët për momentin janë në arrati. Hetimi vazhdon, dhe publiku pret informacione të mëtejshme për zgjidhjen e këtij skandali që ka tronditur skenën politike dhe ekonomike të vendit.