Avioni i Azerbaijan Airlines që u rrëzua të mërkurën në Kazakistan, ku humbën jetën 38 persona, është goditur nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore, kanë thënë për Reuters katër burime në Azerbajxhan të përfshira në hetim. Zyrtarë të lartë të Azerbajxhanit e kanë konfirmuar gjithashtu për Anadolu se avioni është goditur nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore.
Avioni i Azerbaijan Airlines J2-8243 u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan, pasi devijoi nga rajoni rus ku Moska muajt e fundit ka përdorur sisteme të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve me dronë ukrainas.
Avioni i pasagjerëve Embraer kishte fluturuar qindra kilometra jashtë itinerarit të planifikuar nga Baku, Azerbajxhan, drejt Groznit, në rajonin jugor rus të Çeçenisë. Ai u rrëzua në bregun tjetër të Detit Kaspik pas, siç deklaroi aviacioni rus, një emergjence që mund të ishte shkaktuar nga goditja e një shpendi.
Zyrtarët nuk shpjeguan pse avioni kaloi detin, por aksidenti ndodhi pas sulmeve me dronë ukrainas në Çeçeni këtë muaj. Aeroporti më i afërt rus në rrugën e fluturimit të avionit të mërkurën në mëngjes ishte i mbyllur.
Një nga burimet azerbajxhanase të njohura me hetimin për aksidentin i tha Reuters se rezultatet paraprake treguan se avioni ishte goditur nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore “Pantsir-S”, ndërsa komunikimet e tij ishin paralizuar nga sistemet e luftës elektronike gjatë afrimit në Grozni.
Burimi tha: “Askush nuk pretendon se kjo është bërë qëllimisht. Megjithatë, duke marrë parasysh faktet e konstatuara, Baku pret që pala ruse të pranojë rrëzimin e avionit azerbajxhanas.”
Pamjet video nga vendi i aksidentit, të publikuara në rrjetet sociale dhe të konfirmuara nga Reuters, treguan se mbetjet e bishtit të avionit dukeshin të dëmtuara nga shrapnelë. Zyrtarë të lartë të Azerbajxhanit gjithashtu konfirmuan për agjencinë turke të lajmeve Anadolu se avioni i Azerbaijan Airlines, që u rrëzua pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, ishte goditur nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore.
Kompania për siguri ajrore, Osprey Flight Solutions, në një paralajmërim për linjat ajrore të mërkurën tha se pamjet e mbetjeve dhe rrethanat e hapësirës ajrore në jugperëndim të Rusisë sugjerojnë mundësinë që avioni të jetë goditur nga një lloj zjarri kundërajror.
Rajonet ruse Dagestan dhe Çeçeni këtë muaj janë sulmuar nga dronë ushtarakë ukrainas dhe, si përgjigje, mbrojtja ajrore ruse është aktivizuar, tha Osprey.
Më herët të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se ishin rrëzuar 59 dronë ukrainas mbi disa rajone. Disa prej tyre, thuhet, janë rrëzuar në hapësirë ajrore të mbyllur mbi rajone që kufizohen me Ukrainën, përfshirë Detin Azov. Për shkak të kësaj, fluturimet thuhet se janë pezulluar përkohësisht në aeroportin rus të Kazanit.
Gjithashtu, gjatë fluturimit të tij mbi jugperëndim të Rusisë, avioni kishte përjetuar pengesa të forta të GPS-it, duke dërguar të dhëna të pasakta ADS-B, të cilat përdoren nga faqet për ndjekjen e fluturimeve për të monitoruar avionët në ajër.
Në Bruksel, NATO bëri thirrje për një hetim të plotë mbi shkaqet e aksidentit.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe viktimat e fluturimit J28243 të Azerbaijan Airlines,” tha zëdhënësja e NATO-s, Farah Daklala, në X (Twitter).
“Për të plagosurit në aksident, urojmë shërim të shpejtë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë.”
Presidenti i Senatit të Kazakistanit sot deklaroi se shkaku i aksidentit ajror ende nuk dihet.