Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministër në disa qeveri, Bujar Osmani, tha se nuk ka informacion se ku ndodhet Artan Grubi, për të cilin është lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar si i dyshuar në rastin “Lotaria Shtetërore”.
Osmani, në një intervistë për “360 Gradë” në MRT 1, deklaroi se nuk e di as nëse Grubi ka shtetësi shqiptare, por theksoi se “veprimet e individëve nuk e përkufizojnë të gjithë partinë”.
Osmani: Partinë e përcaktojnë parimet, politikat dhe vendimet kolektive që ajo merr në këtë drejtim. Mendoj se nuk mund të gjendet diçka e diskutueshme në lidhje me politikat e BDI-së, veçanërisht për politikën antikorrupsion.
“360 Gradë”: Por nuk mund ta reduktoni këtë kaq lehtë në një individ, sepse ai (Artan Grubi, v.j.) nuk ishte një individ i zakonshëm. Ai ishte dora e djathtë e liderit Ali Ahmeti, luante një rol kyç dhe kishte ndikim të madh në skenën politike gjatë viteve të fundit në emër të BDI-së. Ai ishte zëvendëskryeministri i parë dhe ndoshta një nga figurat më të fuqishme politike, në mos më e fuqishmja, për një periudhë të caktuar.
Osmani: Çdokush për të cilin në një proces ligjor vërtetohet se ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk kemi asnjë dilemë në këtë drejtim, për këdo qoftë. Por është shumë e rëndësishme që ky proces të jetë i paanshëm dhe të mos përdoret për qëllime politike. Nëse më pyesni pse ka ikur, mendoj se ka gabuar që ka ikur. Duhej të qëndronte, të përballej dhe të tregonte të vërtetën e tij. Partia nuk mund të mbajë përgjegjësi për 34 mijë anëtarët dhe veprimet e tyre.