Padi penale kundër tre personave nga Shkupi për manipulim me tenderët

Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë MPB-së ka ngritur kallëzim penal kundër M.G. (37) nga Shkupi – administrator i një subjekti juridik nga Shkupi, F.B. (42) nga Shkupi – administrator i një subjekti tjetër juridik nga Shkupi dhe D.G. (46) nga Shkupi, për dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale „keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“ dhe „keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, lidhje të kontratës për furnizime publike ose partneritet publiko-privat“.

E dyshuara e parë, gjatë periudhës gusht 2022 – prill 2023, për interesat e saj personale, ka kryer procedurat e furnizimeve publike në emër të një Institucioni Penal-Korrektues, si dhe për tre shkolla fillore në zonën e Shkupit, ku ishte e angazhuar si ofruese e shërbimeve këshillimore në fushën e furnizimeve publike. Ajo vetë ka paraqitur oferta në emër të subjektit të saj juridik ose në emër të subjektit tjetër juridik – një institucion privat shëndetësor, nga i njëjti kompjuter nga i cili më parë kishte publikuar shpalljen, duke qenë e vetëdijshme se sipas Ligjit për Furnizime Publike, nuk kishte autorizim për të publikuar shpallje në emër të autoritetit kontraktues dhe për të paraqitur oferta në emër të një operatori ekonomik.

I dyshuari i dytë ka lejuar përdorimin e emrit të tij të përdoruesit dhe fjalëkalimit nga Sistemi Elektronik i Furnizimeve Publike (SEFP), si dhe tokenin për nënshkrim elektronik, nga të dyshuarit M.G. dhe D.G., me qëllim që e para të paraqiste oferta duke qenë në dijeni se të gjithë ofertuesit për shpalljet specifike për ekzaminimet mjekësore gjithmonë propozonin të njëjtën çmim dhe vendimtare ishte koha e dorëzimit të ofertës. Në këtë mënyrë, është pamundësuar që ndonjë operator tjetër ekonomik të fitonte kontratat për furnizime publike në procedurat specifike pranë institucioneve shtetërore.

I dyshuari i tretë, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve në një shkollë fillore në zonën e Shkupit, megjithëse ishte në dijeni se nuk kishte të drejtë dhe autorizim për të publikuar shpallje në emër të autoritetit kontraktues apo për të paraqitur ofertë në emër të një operatori ekonomik, ka shkaktuar kufizim të pajustifikuar të konkurrencës midis operatorëve ekonomikë. Ai gjithashtu ka poseduar në mënyrë të paautorizuar të dhënat e personave përgjegjës të shkollës në Shkup për qasjen në Sistemin Elektronik të Furnizimeve Publike (SEFP) dhe i ka përdorur ato për të kryer në mënyrë të paautorizuar dhe të pavarur procedurën në emër të autoritetit kontraktues, duke ndikuar në rezultatin e saj.

Në bazë të urdhrave të lëshuara, në rajonin e Shkupit janë kryer kontrolle në shtëpitë dhe hapësirat e tjera të personave të dyshuar, ku janë gjetur sende që janë objekt i veprës penale.