Masar Omeragiq zgjidhet kryetar i FFM-së

Masar Omeragiq është zgjedhur zyrtarisht si kryetari i ri i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në kuvendin zgjedhor të jashtëzakonshëm të mbajtur sot në Shkup. Ai ishte kandidati i vetëm dhe mori mbështetjen e të gjithë 62 delegatëve të pranishëm, të cilët votuan njëzëri për zgjedhjen e tij.

Omeragiq, ish-futbollist i klubeve Slloga Jugomagnat, Ballkan dhe Vardar, njihet për karrierën e tij të suksesshme dhe si fitues i trofeve kampionë në kampionatin vendas. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai u përfshi në menaxhim dhe ishte pjesë e Bordit Drejtues të FFM-së në periudhën 2002-2006.

Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, Omeragiq deklaroi:
“Unë jam një nga ju, një njeri i futbollit. E di se si duhet dhe në cilin drejtim duhet ta zhvillojmë futbollin në Maqedoni. Futbolli është punë ekipore dhe askush nuk mund ta bëjë vetëm. Duhet shumë punë, shumë angazhim dhe shumë djersë për të arritur fitoren.”

Ai premtoi të angazhohet për rikthimin e legjendave në FFM, promovimin e futbollit te të rinjtë, rregullsinë e kampionatit, kthimin e tifozëve në stadiume, futjen e teknologjisë VAR dhe përmirësimin e infrastrukturës së stadiumeve.

Omeragiq zëvendëson Muamed Sejdinin, i cili e drejtoi federatën nga viti 2018 dhe dha dorëheqjen në kuvendin e sotëm.