Sulmi në Magdeburg/ Vrau 5 persona dhe plagosi 200 të tjerë, gjykata lë në burg 50-vjeçarin që goditi me makinë turmën e njerëzve

50-vjeçari i akuzuar për vrasjen e katër grave dhe një djali nëntëvjeçar, duke i përplasur me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, është lënë në paraburgim.

Ai u paraqit para gjykatës të shtunën në mbrëmje pas incidentit tragjik të së premtes, kur një makinë BMW e zezë përshkoi tregun e mbushur me njerëz, duke plagosur mbi 200 persona.

Policia e Magdeburgut bëri të ditur se hetimet janë ende në vazhdim dhe bëri apel që dëshmitarët të ndajnë foto ose video të incidentit për të ndihmuar hetimin.

I dyshuari, i identifikuar nga mediat lokale si Taleb al-Abdulmohsen, është një shtetas saudit 50-vjeçar që kishte mbërritur në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte punuar si mjek.

Policia konfirmoi të dielën në mëngjes se viktimat përfshinin katër gra, të moshës 45, 52, 67 dhe 75 vjeç, të cilat humbën jetën në këtë ngjarje tragjike.

Gjyqtari ka urdhëruar paraburgimin për pesë akuza për vrasje, vrasje të shumëfishtë në tentativë dhe disa akuza për lëndime të rrezikshme trupore,” thuhet në deklaratën zyrtare.