Uji është lëshuar në tubin kryesor të ujësjellësit në Shkup dhe për disa orë pritet që uji të arrijë në shtëpitë e qytetarëve, thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Nga ndërmarrja informojnë se aktivitetet janë në fazën përfundimtare, ku janë riparuar defektet te Porta Vlae, ura Kombet e Bashkuara dhe bulevardi Partizanski Odredi në Karposh 4, për të cilat ishte e nevojshme mbyllja e tubit kryesor.
Aktualisht, po punohet në përfundimin e fazës së fundit të rekonstruimit të valvulës F700 në rrugën Nikola Parapunov.
“Kjo ndërhyrje kryhet në mënyrë të pavarur nga pjesët e tjera dhe për të nuk është e nevojshme mbyllja e tubit kryesor të furnizimit. Prandaj, mbushja e tubit kryesor tashmë ka filluar dhe pritet që presioni të stabilizohet për disa orë,” thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
Nga Instituti i Shëndetit Publik apelojnë që qytetarët të mos e pinë menjëherë ujin pas lëshimit të tij në rrjetin e ujësjellësit, pasi koha e kontaktit të klorit rezidual me ujin në rrjet mund të zgjasë deri në 1 orë. Është e mundur që uji për pije pas lëshimit në rrjet të ndryshojë ngjyrë, të ketë erë të pazakontë, turbullirë të dukshme ose ndonjëherë grimca të vogla apo rërë.
“Menjëherë pas ardhjes së ujit në gypat e ujësjellësit në shtëpi, është e nevojshme që të hapen të gjitha rubinetat në shtëpi dhe të lihen të rrjedhin për disa minuta. Pastaj, duhet të kontrollohet nëse cilësitë organoleptike të ujit janë në rregull, dhe vetëm atëherë mund të pihet. Më së miri është që gjatë orëve të para pas lëshimit të ujit në rrjet, qytetarët ende të konsumojnë ujë të paketuar, derisa të marrin njoftim nga ndërmarrja publike se uji është i pastër dhe i sigurt për konsum,” thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.